Rrjeti social Instagram ka dështuar t’i heqë komentet abuzive që synojnë politikanet gra që janë kandidate të mundhme për zgjedhjet e këtij viti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka bërë të ditur të mërkurën raporti nga Qendra jofitimprurëse Kundër urrejtjes digjitale, raportoi Reuters.
Ky raport ka analizuar mbi gjysmë milioni komente në postimet e dala në këtë rrjet social ndaj pesë politikaneve demokrate dhe pesë të tjerave republikane, përfshirë senatoren Elizabeth Warren, ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, zëvendëspresidenten dhe kandidaten presidenciale Kamala Harris, senatoren Marsha Blackburn dhe përfaqësuesen Marjorie Taylor Greene.
Mbi 20 mijë komente janë vlerësuar si “toksike” me një mijë prej të cilave përmbajnë abuzime seksiste dhe raciste, si dhe kërcënime me vdekje dhe përdhunim.
Instagrami ka lënë pa fshirë 93 për qind të komenteve të dëmshme, duke shkelur kështu standardet e platformës.
Në përgjigje të raportit, Meta ka thënë se ka mjete për përdoruesit për të kontrolluar komentet në postimet e tyre, duke përfshirë filtrimin e komenteve, frazave ose emoji-ve fyese.
"Do të shqyrtojmë raportin e CCDH-së dhe do të marrim masa për çdo përmbajtje që shkel politikat tona”, ka thënë Cindy Southworth, drejtuese e sigurisë së grave në Meta.
Raporti u kërkoi platformave të rrjeteve sociale që të zbatojnë udhëzimet e tyre të sigurisë në mënyrë më efektive dhe të ndërmarrin veprime vendimtare kundër abuzimit të synuar në internet.