Indonezia ka ndaluar shitjen e modeleve të iPhone 16 për shkak, siç ka thënë, dështimit të Applet për t’i përmbushur rregulloret e investimeve lokale, ka njoftuar Ministria e Industrisë e Indonezisë, transmeton “The Guardian”.
Ekonomia më e madhe e Azisë Juglindore, ka një popullatë të pasionuar pas teknologjisë, ku mbi 100 milionë banorë janë nën moshën 30-vjeçare. Mirëpo, Apple ende nuk ka një shitore zyrtare në Indonezi, duke detyruar që të gjithë që duan të blejnë produkte t’i marrin nga platformat e rishitjes.
Zëdhënësi i Ministrisë së Industrisë ka thënë se telefonat e importuar të modeleve iPhone 16 – që u lansua në shtator – nuk mund të tregtohen brenda vendit, sepse njësiti lokal i Applet s’ka përmbushur një kërkesë që 40 për qind e telefonave të bëheshin nga pjesët e prodhuara brenda vendit.
“Pajisjet iPhone 16 të importuara nga importuesit e regjistruar nuk mund të tregtohen ende brenda vendit”, ka thënë zëdhënësi Febri Hendri Atoni Arif. “Apple Indonesia s’ka përmbushur zotimet e investimeve për ta marrë...certifikatën”.
Për të arritur përqindjen, Apple duhet të investojë në Indonezi dhe materiale të prodhuara në Indonezi t’i përdorë në komponentë të iPhone.