Një grup i mjekëve japonezë kanë ngritur padi civile kundër Google Maps, duke i kërkuar dëmshpërblim prej 9,400 dollarësh për 63 profesionistët mjekësorë.
Ata e kanë paditur kompaninë për mosveprim ndaj komenteve negative që janë bërë për klinikat e tyre.
Google ka thënë se po punon “24 orë në ditë” për të reduktuar informacionet e rreme në platformën e saj, duke kombinuar burimet njerëzore me teknologjike “për të fshirë komentet mashtruese”.
Në padi thuhet se vlerësime negative të pabaza janë postuar në Google Maps, një aplikacion shumë i famshëm në Japoni, që ua lejon njerëzve të shkruajnë vlerësimet e tyre personale për institucione të ndryshme, raportoi AP.
Disa komente duket se janë shkruar nga inati dhe janë pothuajse të pamundura të hidhen poshtë, thuhet në padi.
“Dëmi është i madh dhe njerëzit kanë qenë të pafuqishëm të luftojnë. Nuk pajtohemi që platforma nuk ndan asnjë përgjegjësi”, ka thënë drejtuesi i ekipit ligjor të mjekëve, Yuichi Nakazawa.
Disa japonezë thonë se mbështeten në atë që thonë njerëzit në internet për spitalet, përfshirë se sa e gjatë është pritja ose si është trajtimi, dhe jo shumë në faqet zyrtare. Por, komentet online mund të jenë të dëmshme për kujdesin shëndetësor, thuhet në padi.
Dëmshpërblimi që mjekët kërkojnë është simbolik. Diku 150 dollarë për secilin mjek paditës.