Google ka nënshkruar marrëveshje me reaktorë të vegjël nuklearë për të gjeneruar sasinë e mjaftueshme të energjisë për të funksionalizuar qendrat e të dhënave të inteligjencës artificiale për vete.
Kompania ka thënë se marrëveshja me “Kairos Power” do t’ia mundësojë përdorimin e reaktorit të parë këtë dekadë dhe do të ketë më shumë të dhëna online deri më 2035, shkruan BBC.
Gjiganti teknologjik ka refuzuar të japë më shumë detaje për vlerën e marrëveshjes, ose se ku do të ndërtohet fabrika.
Kompanitë e teknologjisë në vazhdimësi po i kthehen më shumë burimeve nukleare të energjisë për qendrat e mëdha të të dhënave që i duhen AI-së.
“Rrjeti ka nevojë për burime të reja të energjisë për të përkrahur teknologjitë e inteligjencës artificiale. Kjo marrëveshje mundëson përshpejtimin e teknologjisë së re për t’i përmbushur nevojat e energjisë në mënyrë të pastër dhe të besueshme dhe për ta zhbllokuar potencialin e plotë të AI-së për të gjithë”, ka thënë Michael Terrell, drejtor për energji dhe klimë në Google.
Marrëveshja me Googlein është e rëndësishme për të komercializuar energjinë nukleare duke demonstruar zgjidhje të rëndësishme për të dekarbonizuar rrjetin e energjisë, ka vlerësuar Jeff Olson nga “Kairos”.
Planet megjithatë duhet të miratohen nga Komisioni Rregullativ Nuklear në SHBA si dhe agjencitë lokale para se të lejohen hapat e mëtejmë.
Vitin e shkuar, rregullatorët amerikanë i dhanë “Kairos Powerit” lejen e parë në 50 vjet për të ndërtuar një tip të ri të reaktorit bërthamor.
Në korrik, kompania nisi ndërtimin e reaktorit në Tennessee. Kompania ka specializuar në zhvillimin e reaktorëve të vegjël që përdorin kripë fluori të shkrirë si ftohës në vend të ujit, që përdoret nga centralet tradicionale bërthamore. Fuqia nukleare, që është pa karbon dhe ofron rrymë 24 orë në ditë, është kthyer në atraksion për industrinë teknologjike në përpjekjen për të ulur emetimet.
Konsumimi i energjisë botërore nga qendrat e të dhënave pritet të dyfishohet deri në fund të dekadës.