Kompania teknologjike Google është goditur me dy akuza për shkelje të rregullave historike të Bashkimit Evropian të mërkurën, ndërsa Apple u urdhërua të ndihmojë rivalët që të lidhen me iPhone-t dhe iPad-ët e saj.
Këto masa u ndërmorën teksa BE-ja po ndëshkon gjigantët e teknologjisë për shkeljet e rregullave, raportoi Reuters.
Masa e Komisionit Evropian ndodhi pavarësisht kërcënimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për të vendosur tarifa ndaj vendeve që vendosin gjoba ndaj kompanive amerikane.
Si Google ashtu edhe Apple kanë qenë në pikëpyetje të Komisionit Evropian që nga marsi i vitit të kaluar për shqetësimet se ata mund të mos veprojnë në përputhje me Aktin e Tregjeve Digjitale.
Shefja e antitrustit të BE-së, Teresa Ribera, ka deklaruar se masat "sigurojnë që Alphabet t'u përmbahet rregullave të BE-së kur bëhet fjalë për dy shërbime të përdorura gjerësisht nga bizneset dhe konsumatorët në të gjithë BE-në, Google Search dhe telefonat Android".
Google ka thënë se rregullat e konkurrencës së BE-së po dëmtojnë konsumatorët dhe bizneset.
"Gjetjet e Komisionit kërkojnë që ne të bëjmë edhe më shumë ndryshime në mënyrën se si shfaqim disa lloje të rezultateve të kërkimit, gjë që do ta bënte më të vështirë për njerëzit të gjejnë atë që kërkojnë”, tha Oliver Bethell nga kompania.