Gazeta italiane "Il Foglio" ka thënë se është e para në botë që ka publikuar një edicion plotësisht të gjeneruar me inteligjencë artificiale (AI). Sipas gazetës, inteligjenca artificiale mund të “përdoret për gjithçka” – si për shkrim, tituj kryesorë, citime...madje edhe për ironi, raporton “The Guardian”.
Nisma e Il Foglios, gazetë me orientim konservator-liberal, është pjesë e një eksperimenti gazetaresk që “ka për qëllim të shpërfaqë ndikimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale në mënyrën tonë të punës”, ka thënë redaktori i gazetës, Claudio Cerasa.
“Do të jetë gazeta e parë ditore në botë e krijuar tërësisht përmes inteligjencës artificiale. Për gjithçka. Për shkrimin, titujt kryesorë, citimet, përmbledhjet. Dhe, ndonjëherë, edhe për ironinë”, ka deklaruar Cerasa.
Ai ka shtuar se ky lloj i teknologjisë e kufizon rolin e gazetarit në vetëm parashtrimin e pyetjeve dhe leximin e përgjigjeve.
Eksperimenti vjen në kohën kur organizatat e lajmeve në mbarë botën po përpiqen të kuptojnë se si funksionon AI. Më herët këtë muaj, “The Guardian” pati raportuar se mediumi tjetër britanik BBC, po konsideron të përdorë inteligjencën artificiale për t’i ofruar publikut përmbajtje më të personalizuar.