Bashkimi Evropian ka publikuar detajet e planit 20 miliardë dollarësh për të krijuar vende të reja të pajisura me superkompjuterë në Evropë për të zhvilluar gjeneratën e re të modeleve të inteligjencës artificiale (AI), derisa do të hapë derën për ndryshimin e ligjeve që rregullojnë teknologjinë, ka raportuar “The Guardian”.
Duke publikuar një strategji për të shndërruar Evropën në një “kontinent të AI-së”, zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Henna Virkkunen, tha se synohet të bëhet Evropa më konkurrente, duke siguruar sovranitetin teknologjik, duke shtuar se “gara globale për AI është larg përfundimit”.
BE-ja është duke tentuar t’i arrijë SHBA-në dhe Kinën, që kanë marrë përparësi si pioniere të teknologjisë që po fuqizon uebfaqet e blerjeve, veturat që voziten vetë, gjenerimin e teksteve, dhe parashikohet se do të luajë një rol transformues në kujdesin shëndetësor, siguri, mbrojtje dhe prodhim të avancuar, në mesin e sektorëve të tjerë.
SHBA-ja është e para në AI, shumë përpara Kinës. Një raport nga Universiteti i Standfordit këtë javë thoshte se 40 “modele të theksuara të AI-së”, janë prodhuar nga institucionet në SHBA në vitin 2024, krahasuar me 15 në Kinë dhe tri në Evropë (të gjitha franceze).
Në një raport tjetër të 2024-tës, Standford gjeti se asnjë vend i Evropës nuk ka qenë në top pesëshen në AI, një matës që konsideron investimet private, patentat dhe studimet. Ajo e ka renditur Britaninë e Madhe në vendin e tretë nën SHBA-në dhe Kinën, me Francën në vendin e gjashtë dhe Gjermaninë të tetën.
BE-ja vetëm se ka filluar një plan për të ndërtuar 13 fabrika të AI-së – qendra me superkompjuterë dhe qendra të të dhënave, ku studiuesit zhvillojnë dhe testojnë modelet e AI.
“Gigafabrikat” e reja të AI-së do të jenë shumë të mëdha, me cak atë që Komisioni e quante “moonshots”: inovacione të mëdha në shëndetësi, bioteknologji, industri, robotikë dhe zbulime shkencore.
Derisa fabrikat e AI me performancën më të mirë kanë superkompjuterë të pajisur me deri në 25,000 procesorë të avancuar të AI, një gigafabrikë do të kalonte 100,000 procesorë të AI, sipas dokumentit strategjik.
Fabrikat e etura për energji, që mund të kërkojnë sasi të mëdha të ujit për ftohje, duhet të punojnë aq shumë sa është e mundur në energji të ripërtrishme, ka deklaruar një zyrtar i BE-së, me plane për “riciklimin” e ujit pas përdorimit.
Vitin e kaluar 47% e elektricitetit të gjeneruar në BE ka ardhur nga burime të ripërtrishme, por ka shqetësime se qendrat e të dhënave, që janë të etura për energji, do të minojnë ambiciet klimatike të Evropës.
“Evropa ka bërë disa hapa drejt elektricitetit të plotë të ripërtrishëm, dhe akoma ka rrugë të madhe përpara, por kjo mund të zhbëhet nëse rritet konsumi. Çdo qendër e të dhënave që kërkon shumë energji rrezikon të bëhet një shtysë për planet ndotëse të energjisë, të ilustruara mirë në Irlandë ku ata konsumojnë më shumë se një të pestën e elektricitetit”, ka deklaruar John Hyland.
Zyrtarët e BE-së synojnë që tri deri në pesë gigafabrika të AI në BE me kosto rreth 3 deri në 5 miliardë dollarë secila, në krahasim me 600 milionë dollarë për fabrikën më të madhe të AI. Komisioni synon të arrijë 20 miliardë dollarë, duke përdorur paratë publike për të inkurajuar investitorët privatë, përmes Bankës Evropiane të Investimeve. Blloku po kërkon gjithashtu të zhvillojë semikonduktorë të prodhuar në Evropë, çipa të avancuar që janë jetike për fabrikat e AI-së.
Por, Komisioni ka marrë kritika për shprehjen e gatishmërisë për të rishikuar Aktin e tij për Inteligjencën Artificiale. Ky rregullim, i cili synon të kontrollojë rreziqet që sjell AI, u miratua nga Parlamenti Evropian vitin e kaluar dhe nuk do të jetë plotësisht i zbatueshëm deri në gusht 2027-s. Të mërkurën, Komisioni njoftoi se po nis një konsultim mbi “mundësinë e thjeshtimit” të Aktit të AI-së, si pjesë e një nisme më të gjerë për të ulur burokracinë në mes të shqetësimeve për rritjen e ngadalshme ekonomike në Evropë.
Organizata Evropiane e Konsumatorëve (BEUC) ka deklaruar se Komisioni duhet të fokusohet në zbatimin dhe mbikëqyrjen e Aktit të IA-së.
“Pjesa më e madhe e Aktit të AI-së nuk ka hyrë ende në fuqi, por Komisioni tashmë po tregon se është i hapur për të hequr disa nga kërkesat e tij. Kur e dimë që konsumatorët shqetësohen për mënyrën se si mund të përdoret AI për t'i dëmtuar ata, Komisioni duhet të përpiqet t’i sigurojë konsumatorët”, ka deklaruar Frederico Oliveira da Silva nga BEUC.
Virkkunen tha se Komisioni është “shumë i vendosur” për qasjen e bazuar në rrezikshmëri dhe për parimet kryesore të Aktit të IA-së, por po shqyrton nëse ka disa ngarkesa administrative ose obligime raportimi që mund të largohen për të lehtësuar jetën për bizneset.