Kompania e njohur teknologjike, Apple, ka thënë se do të përditësojë veçoritë e inteligjencës artificiale (AI) që ka dërguar lajme të rreme te modelet e fundit të telefonëve iPhone.
Ndër lajmet e rreme që u dërguan nga AI-ja ishin ato për të akuzuarin e atentatit ndaj shefit ekzekutiv të kompanisë së sigurimeve shëndetësore të SHBA-së duke thënë se ai ka kryer vetëvrasje dhe se kinse ylli i tenisit Rafael Nadal është deklaruar homoseksual.
Kompania teknologjike ka thënë se po zhvillon një përditësim që do të “sqaronte më tepër” kur lajmet janë aktualisht përmbledhje të gjeneruara nga sistemi i inteligjencës së Appleit. Ata thanë se një përditësim do të publikohet javëve në vijim.
Ndjekur nga një ankesë formale e BBC-së muajin e kaluar, kur alarmet e lajmeve me logon e korporatës i thanë një përdoruesi të iPhoneit se Luigji Mangione (i akuzuar për vrasjen e shefit ekzekutiv të UnitedHealthcare Brian Thompson) e ka vrarë veten. Mangione është gjallë dhe është duke u mbajtur në një burg në Brooklyn.
Alarme me lajme të rreme u bënë përsëri edhe në të premten e kaluar, kur sistemi i inteligjencës artificiale i Apple i përmblodhi gabimisht lajmet e programit të BBC-së se Nadal është deklaruar si homoseksual. Po ashtu përmbledhja shkruante se Luke Litter kishte fituar Kampionatin Botëror të Pikados PDC, orë para se kampionati të fillonte.
“Këto përmbledhje të AI-së të Appleit nuk reflektojnë – dhe në disa raste janë në kundërshtim me përmbajtjen origjinale të BBC-së”, thuhet në deklaratën e BBC-së. “Është kritike që urgjentisht Apple të adresojë problemet e saktësisë në lajmet tona. Është esenciale për besimin tonë.”
Veçoria problematike ishte një nga mjetet e AI-së që debutoi në dhjetor, duke përfshirë telefonat iPhone 16, 15 Pro dhe 15 Pro Max, gjithashtu edhe në disa iPad-e dhe laptope Mac.
“Veçoritë e inteligjencës së Appleit janë dytësore dhe ne jemi duke bërë përmirësime të kohëpaskohshme me ndihmën e ankesave”, ka thënë Apple në një përgjigje ndaj BBC-së.
“Një përditësim i softuerit në javët e ardhshme do të qartësojë tekstet e përmbledhjeve të ofruara nga Inteligjenca e Appleit. Ne inkurajojmë përdoruesit të raportojnë shqetësimet, nëse vjen një përmbledhje e papritur”, ka shtuar Apple.