Komisioni i Ankesave i Federatës së Volejbollit të Kosovës ka aprovuar pjesërisht ankesën e klubit të volejbollit Peja për dënimin e gjashtë lojtarëve që dolën në tribunën anësore të palestrës “Bll Clinton” në Ferizaj dhe sulmuan fizikisht pak tifozë që ishin aty.
Vendimet e Komisionit të Ankesave për incidentin, prej më të rëndëve në volejbollin kosovar, që ndodhi më 1 dhjetor pas finales së Kupës së Federatës, janë marrë më 13 janar. Disa lojtarëve të klubit pejan u janë zvogëluar dënimet e disave jo.
Volejbollistit Arlind Kabashi i është zbutur dënimi nga 10 vjet suspendim në shtatë vjet, ndërsa Kaltrim Berishës dhe Dardan Husajt dënimi me tri vjet suspendim u është shndërruar në suspendim njëvjeçar.
Ndërkohë Gazmend Husajt, që vlerësohet prej volejbollistëve më të mirë shqiptar në histori, i është ulur dënimi nga 1 vit largim nga garat, në shtatë muaj. Husajt i ka mbetur në fuqi gjoba prej 500 eurosh, ndërsa Kabashit i zbutet gjoba në 600 euro nga 1000 sa kishte vendosur Komisioni Disiplinor më 14 dhjetor.
Vendimi i Komisionit Disiplinor ka mbetur në fuqi për Leutrim Mujajn dhe Agron Nikçin. Mujaj duhet ta vuajë dënimin prej dhjetë vjetësh suspendim dhe gjobë prej 1000 eurosh, ndërsa Nikçi, që është kapiten i skuadrës dhe mban pozitë të rëndësishme në Komunën e Pejës, duhet ta vuajë dënimin prej tre vjet përjashtim nga garat dhe gjobë prej 800 eurove.
Mbetet në fuqi po ashtu vendimi për klubin e Pejës, që për shkelje të rëndë disiplinore është gjobitur me 2000 euro.
“Komisioni i Ankesave ka gjetur edhe fakte shtesë: Leutrim Mujaj dhe Agron Nikçi edhe më parë kanë qenë të dënuar nga Komisionet përkatëse, dëshmi kjo që vendimin e Komisionit Disiplinor e bën më bindës. Në asnjë deklaratë me shkrim, të cilat ishin uniforme, Komisioni i Ankesave nuk ka gjetur keqardhje për rastin, apo së paku një kërkim-falje për skenat e tilla. Komisioni i Ankesave në bazë të provave shkresore për ndërmarrje të masave dhe shqiptim të gjobave dhe dënimeve nga Komisioni Disiplinor, ka ardhur në përfundim për vërtetimin e dënimeve, apo edhe uljen e dënimeve për secilin që kishte bazën juridike, të arsyetuar me interes të përgjithshëm dhe volejbollin e Kosovës”, shkruan në vendimin e Komisionit të Ankesave, të nënshkruar nga anëtarët Agim Zuzaku, Gani Ibrahimi dhe Driton Ramadani.
Incidenti i 1 dhjetorit vlerësohet prej më të rëndëve në histori të volejbollit kosovar. Lojtarët e Pejës, klubit kryesor në vend, u ngjitën në tribunën anësore dhe nisën sulm fizik, me grushte e njëri edhe me një shkop, ndaj pak tifozëve të rinj që ishin në atë pjesë. Më pas u kthyen në fushën e lojës dhe i pranuan medaljet e argjendta.