Sporte të tjera

Vonn thotë se proteza e gjurit nga titani mund të bëhet trend në skitari

Lindsey Vonn

Lindsey Vonn

Foto: Associated Press

Kur Lindsey Vonn garoi për herë të fundit në Kupën e Botës gati gjashtë vjet më parë, dhimbjet e vazhdueshme në gju e çuan në pension.

Në garën e kthimit fundjavën e kaluar, skitarja 40-vjeçare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndihet më ndryshe me protezën e gjurit nga titani.

Nuk ka më dhimbje. Nuk ka më ënjtje. Jo më lot.

“Vitet e fundit të karrierës sime ishin shumë ndryshe nga tash. Unë jam duke skijuar pa menduar për gjurin tim, gjë që nuk e kam bërë me të vërtetë kur e lëndova për herë të parë gjurin në vitin 2013. Ka kohë që nuk jam ndier kaq mirë”, tha Vonn pasi u rendit e 14-ta në garën në Super G në St. Moritz. “Unë jam pak më e vjetër, por sinqerisht jam shumë më e fortë se dikur”.

Aq shumë më e fortë sa ajo po flet për operacionin e vendosjes së protezës së gjurit nga titani – i pari i këtij lloji në skitari.

Në prill, Vonn iu nënshtrua një operacioni nga Martin Roche, ortoped me bazë në jug të Floridës, i specializuar për çrregullimet komplekse të gjurit.

Një pjesë e kockës në gjurin e saj të djathtë u pre dhe u zëvendësua nga dy copa titani. Në muaj më vonë, ajo po planifikonte rikthimin e saj.

“Është shumë më mirë kërci im inekzistent”, tha Vonn, një nga skitaret më të suksesshme të të gjitha kohëve me 82 fitore në Kupën e Botës.

“Kam folur tashmë me shumë skiatorë për këtë dhe me të vërtetë mendoj se mund të jetë diçka që duhet marrë parasysh. Ndihem e mahnitshme. Dua të them padyshim që jo të gjithë reagojnë në të njëjtën mënyrë ndaj operacioneve. Për disa arsye, jam rikthyer mjaft mirë nga operacioni. Por unë mendoj se është diçka për t’u marrë parasysh seriozisht për sportistët që kanë shumë probleme me gjurin”.

Zëvendësimet e gjurit zakonisht rezervohen për të moshuarit

Andrea Panzeri, kryemjeku i Federatës Italiane të Sporteve Dimërore dhe një ortoped i cili ka operuar shumë herë shoqen e mirë të Vonnit, Sofia Goggia, tha se zëvendësimet e gjurit zakonisht kryhen te pacientët më të vjetër se 50 vjeç.

“Kjo është padyshim hera e parë në historinë e Kupës së Botës që garon me një gju të tillë”, tha Panzeri për Associated Press. “Dhe unë nuk jam në dijeni të ndonjë sportisti tjetër të nivelit elitar në sportet e tjera që garon me një këmbë të tillë”.

Panzeri kryen operime të tilla. Por ai as që kishte menduar të bënte një të tillë për një garuese të nivelit botëror – derisa pa Vonn duke bërë gara.

“Proteza e pjesshme, si ato gjysmë gjuri, janë padyshim ato që ofrojnë perfomancën më të mirë dhe ne po e shohim Vonnin”, tha Panzeri. “Unë nuk mendoj se vendimi i saj do të ndryshojë sportin profesional. Por kjo mund të shërbejë më shumë si motivim për njerëzit e rëndomtë që të provojnë një protezë të tillë”.

Tri herë kampioni i tenisit në Grand Slame, Andy Murray luajti me një ijë artificiale në fund të karrierës së tij. Ish-shoqja e skuadrës së Vonnit në skitari, Julia Mancuso, po ashtu rikuperoi ijën e saj disa muaj pasi ajo doli në pension në vitin 2018.

“Unë, me siguri, do të kisha menduar një rikthim nëse nuk do të kisha fëmijë”, tha Mancuso për AP-në së fundmi.

Por Panzeri tha se “ijët kanë biomekanikë të ndryshme se gjuri dhe shumë më tepër njerëz janë të aftë të bëjnë sport me një protezë në kofshë sesa me një protezë gjuri”.

Zëvendësimi i gjurit nuk ngjan me operacionin e Tommy John

Elan Goldwares, një mjek i mjekësisë sportive në Qendrën Mjekësore të Universitetet të Kolumbisë, i cili punon me ekipin e skive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka parë shumë sportistë që vijnë në klinikën e tij për zëvendësimin e gjurit, por jo garues të nivelit elitar.

Pra, a do të jetë operacioni i Vonnit një trend në skitari?

“Nuk do të thosha se është gjë e mirë si në bejsboll me operacionin që ka kryer Tommy John”, tha Goldwaser në St. Moritz. “Por nëse është e nevojshme, është një procedurë e mirë për t’u bërë”.

Trajneri i Vonnit flet për rolin që kishte përgatitja fizike

Chris Knight, trajner personal i Vonnit, tha se ata kishin pyetje nëse gjuri i saj prej titani do të përballonte kthesat e skijimit në zbritje me shpejtësi 130 kilometra në orë.

“Nuk kishte shumë prej garuesve të nivelit të lart që kishin bërë zëvendësimin e pjesshëm të gjurit”, tha Knight. “Është një gjë e re. Por deri më tani gjithçka po funksionon shumë mirë. Dhe ne do të habiteshim nëse njerëzit e tjerë e bëjnë këtë, sepse rezultatet që pati Lindsey, pa dhimbje dhe pa ënjtje, kanë qenë të pabesueshme. Sigurisht që ajo qëndroi në formë të shkëlqyer gjatë gjithë kohës që nuk ka qenë në gara. Pra kjo e ndihmoi. Dua të them, nëse je pasive dhe nuk bën asgjë me formën fizike, atëherë ndoshta nuk do të ishte aq efektive”.

Gjuri i ri i Vonnit gjithashtu la përshtypje te trajneri i ekipit amerikan të skive, Paul Kristofiq.

“Patjetër që jam i detyruar për një të tillë vetë”, tha Kristofiq. “Unë do të flas me të”.

Megjithatë ka dyshues.

Katër herë kampion i Kupës së Botës, Pirmin Zurbriggen i tha javën e kaluar gazetës “Blick” se “ekziston rreziku që Vonn ta copëtojë gjurin e saj artificial”.

Por Panzeri tha se titani nuk dëmtohet.

“Absolutisht jo”, tha ai. “Është një protezë e vogël që nuk thyhet “.

Vonn do ta zhvillojë garën e ardhshme më 12-12 janar në St. Anton të Austrisë.