Sporte të tjera

Vendoset rekord i ri botëror në Maratonë

Ruth Chepngetich

Ruth Chepngetich bëri atë që asnjë vrapuese në maratonë nuk e ka bërë deri më tani. Ajo vendosi rekord të botës në Maratonën e Chicagos, të dielën.

U bë atletja e parë që ka vrapuar maratonën për më pak se 2 orë e 10 minuta. Rekordi i kaluar ishte 2 orë, 11 minuta e 53 sekonda, i vendosur nga Assefa Tigst e Etiopisë, në Maratonën e vitit të kaluar në Berlin.

Chepngetich tani mban rekordin me kohë 2 orë, 9 minuta e 56 sekonda.

“Po ndihem shumë mirë. Jam krenare me veten dhe e falënderoj Zotin  për fitoren dhe rekordin botëror”, ka thënë 30-vjeçarja nga Kenia.

“Ëndrra ime është bërë realitet. Kam luftuar shumë duke menduar për rekordin e botës. E kam thyer rekordin dhe jam shumë falënderuese”, ka shtuar ajo.

Chepngetich fitoi në Chicago në vitet 2021 e 2022. Vjet ishte e dyta, ndërsa u kthye fuqishëm të dielën.

John Korir, që po ashtu është nga Kenia, fitoi te maratonistët. Koha e tij fituese ishte 2 orë, 2 minuta e 43 sekonda.