Red Bull Racing ka konfirmuar të enjten zyrtarisht atë që spekulohej prej ditësh. Për shkak të rezultateve të dobëta në dy garat e para të Formula 1, Liam Lawson u kthye në ekipin e Visa Cash App Racing Bulls, ndërsa Yuki Tsunoda do të jetë shofer i Red Bullit.
Lawsoni u vendos të jetë shofer i Red Bullit pasi në fund të sezonit të kaluar pati paraqitje të mira duke zëvendësuar Sergio Perezin. Por ai ka vuajtur të përshtatet me makinën e re. Në dy garat e para, Lawsoni pati paraqitje zhgënjyese. Piloti i Zelandës së Re ka pasur paraqitje të mira me skuadrën simotër të Red Bullit, Racing Bulls dhe do të shpresojë të vazhdojë me të njëjtin ritëm.
Menaxheri gjeneral i Red Bull, Christian Horner, ka thënë se ky ndryshim është i nevojshëm pasi i duhet të ruajë titullin e kampionit të pilotëve, që po mbrohet nga katër herë kampioni Max Verstappen, por edhe ta kthejë titullin e konstruktorëve që përfundoi në duart e McLarenit vitin e kaluar.
Prandaj, nga gara në Japoni, e cila zhvillohet më 6 prill, shok i ri i Verstappenit do të jetë Tsunoda, ndërsa Lawson do t'i bashkohet Isack Hadjarit në ekipin e Racing Bulls.