Federata e Notit e Kosovës e ka mbajtur edhe Kuvendin e radhës zgjedhor. Ashtu si pritej, kuvendi kishte zhvillime e tensione, ndërsa në fund u zgjodh udhëheqja e re.
Ish-notarja Rita Zeqiri është zgjedhur kryetare. Xevat Camaj e Bashkim Haxhimusa janë zgjedhur nënkryetarë, ndërsa Granit Morina, Artiol Shala, Hana Fejzullahu e Vlera Llalloshi, anëtarë të bordit. Sekretar i përgjithshëm në kuvendin e mbajtur të enjten mbrëma u zgjodh Veton Telaku.
Punimet e kuvendit i kanë monitoruar tre zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përfaqësuesi i “World Aquatics”, Josip Varvodiq dhe Arben Fetahu nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Për Rita Zeqirin kanë votuar të gjithë 32 delegatët që ishin prezentë, kur u votua për kryetare. Në fillim të kuvendit ishin dukshëm më tepër. Por grupi tjetër i përfaqësueseve të klubeve të notit lëshoi kuvendin i pakënaqur që disa klube nuk janë licencuar dhe rrjedhimisht nuk kishin të drejtë pjesëmarrjeje.
Sipas të dhënave zyrtare të MKRS-së, të licencuara janë 25 klube të notit. Secili klub përfaqësohet me dy delegatë në kuvend. Rrjedhimisht të drejtë vote kishin 50 delegatë. Por 32 e shfrytëzuan këtë të drejtë.
Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se në fillim të kuvendit ka pasur edhe tensione mes dy grupeve.
Akuza ndaj ministrisë po ashtu. Ndërkohë njëri grup ka lëshuar kuvendin dhe më pas punimet janë zhvilluar në qetësi.
Kuvendi i FNK-së u mbajt për faktin se World Aquatics, që është Federata botërore e sporteve të ujit, nuk i kishte njohur rezultatet e Kuvendit Zgjedhor të mbajtur më 2 nëntor të vitit të kaluar. Në atë kuvend kryetar u zgjodh Fis Murati.
World Aquatics nuk pranoi rezultatet duke vlerësuar se FNK-ja nuk e respektoi statusin e saj.
“Nuk respektoi afatet informative për anëtarët e saj, sipas asaj që është përcaktuar në statut. Për t’u njohur Bordi Ekzekutiv i Federatës, ne kërkojmë që të mbahen zgjedhje të reja, sipas Statutit të Federatës dhe sipas rregullave të WA. Për më tepër, një vëzhgues i pavarur, Josip Varvodiq, do të vëzhgojë zgjedhjet e ardhshme për të pasur siguri absolute se standardet dhe rregullat e WA janë përmbushur”, shkruante në letrën që WA e dërgoi në fund të nëntorit.
Organizata botërore kishte kërkuar që kuvendi i 2 nëntorit të mos mbahej, por FNK-ja megjithatë vendosi ta mbante.
Ai kuvend ishte monitoruar nga MKRS-ja, por jo edhe nga KOK-u.
Pas letrës së WA, edhe ministria kërkoi të mbahen zgjedhje të reja në federatë të notit dhe federata u pajtua.
Ka kohë që komuniteti i vogël i notit kosovar është i ndarë në dy grupe. Grupi që ka udhëhequr dhe vazhdon të udhëheqë federatën ka akuzuar për përfshirje edhe Komitetin Olimpik të Kosovës, përkatësisht drejtuesit e saj.
FNK-ja për kohë të gjatë ishte pa kryetar, pasi Agron Zeqiri dha dorëheqje në fillim të shtatorit. Agron Zeqiri, që është babai i kryetares së re, Rita Zeqiri, kishte dhënë dorëheqje pasi ishte suspenduar nga një organ i World Aquatics për diskriminim. Ai u suspendua për diskriminim të notarit Adel Shaboviq dhe notares Hana Beiqi. Të dy e përfaqësuan Kosovën në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Vendimin për suspendim të Agron Zeqirit e mori Njësia për Integritet e Sporteve të Ujit.
Tani FNK-ja ka kryesi të re, ndërsa mbetet të shihet qëndrimi zyrtar i World Aquatics, por edhe i MKRS-së e KOK-ut. Por është e qartë që ndarjet nuk përfundojnë.
“Me një vizion të qartë për zhvillimin dhe avancimin e notit në Kosovë, udhëheqja e re e FNK-së është e përkushtuar të sjellë një epokë të re progresi dhe suksesi për sportistët, trajnerët dhe komunitetin e notit në vend”, shkruan në njoftimin e FNK-së.
Pos në Federatën e Notit, ndarje të thella ka edhe në disa federata sportive tjera të vendit. Dhe kjo vlerësohet se po ndikon që mos të ketë zhvillim të sporteve përkatëse.