Sporte të tjera

Tenisti i Kosovës garoi në turneun në Serbi, mediat serbe me pyetje të shumta

Tenis

Tenisti i Kosovës, Mal Agushi, të dielën garoi në një turne në Serbi.  Ka mjaftuar kjo që mediat serbe të bëjnë pyetje të shumta se si është e mundur që flamuri i Kosovës të shfaqet sërish në territorin e Serbisë.

Agushi, 21-vjeçar, garoi në turneun M15 në Banjën e Kurshumlisë. Sipas të dhënave zyrtare në ITF, ai humbi nga një tenist serb. Pësoi 6:1 e 6:0 nga Kristijan Juhas.

“Flamuri i të ashtuquajtës Kosovës mundet, e flamuri i Rusisë nuk mundet në Serbi”, është titulli i shkrimit të mediumit serb, “sportklub”.

“Flamuri i të ashtuquajturës Kosovë është shfaqur sërish në garë sportive në Serbi. Këtë herë është në pyetje turneu ITF i tenisit në Banjë të Kurshumlisë. Në kualifikime luajti Mal Agushi, pranë emrit të të cilit qëndroi flamuri i të ashtuquajturës Kosovë. Që e tëra të jetë edhe më interesante, djaloshi, që nuk ka rangim ATP, dhe që në raundin e parë të kualifikimeve pësoi thellë nga përfaqësuesi serb, Kristijan Juhas, në faqen zyrtare të ATP-së paraqitet si lojtar i Maqedonisë së Veriut. Prandaj nuk është e qartë se si ia doli që në Banjën e Kurshumlisë të paraqitete si përfaqësues i krahinës jugore serbe, me flamurin të cilin shteti i Serbisë nuk e njeh”, ka shkruar tutje ky medium.

Në frymë të njëjtë kanë shkruar edhe shumë mediume të tjera serbe.

Sipas të dhënave, Mal Agushi në moshë të re garoi në Maqedoni të Veriut. Prandaj edhe në ATP (Asociacioni i Profesionistëve të Tenisit) është i paraqitur si përfaqësues i Maqedonisë së Veriut. Por në Federatën Ndërkombëtar të Tenisit (ITF), Mal Agushi është i evidentuar si tenist i Kosovës.

Agushi ka luajtur për Kosovën në “Davis Cup”, garën ekipore për tenistë. Ka fituar turne të ndryshëm në Kosovë po ashtu. Vjet madje u shpall tenisti më i mirë në Kosovë. Me Pejën e fitoi kampionatin ekipor të Kosovës.

Disa javë më parë bëri bujë një video e presidentit të FFK-së, Agim Ademi, te flamuri i Kosovës në korridorin e arenës ku u mbajt Kongresi i UEFA-s në Beograd. Më pas, në sallën ku u mbajt Kongresi u larguan të gjithë flamujt dhe simbolet e Kosovës. Nuk ka pasur ndonjë reagim për këtë nga UEFA, por federata serbe kërkoi falje që flamuri i Kosovës u shfaq në korridor. Një flamur i Kosovës u dogj nga huliganë serbë në natën kur u publikua videoja e Ademit.

Sportistët Kosovës ende nuk lejohen të garojnë në ngjarjet ndërkombëtare që organizohen në Serbi. Në tenist ka pasur disa lëvizje, ndërsa edhe të rinj të komunitetit serb janë paraqitur në garat që mbahen në Kosovë, që nuk ndodhë në sportet tjera.