Leutrim Mujaj, Arlind Kabashi, Agron Nikçi, Kaltrim Berisha, Dardan Husaj dhe Gazmend Husaj janë suspenduar nga Federata e Volejbollit e Kosovës, përkatësisht komisari i garave. Gjashtë lojtarët e klubit të volejbollit Peja janë përfshirë në rrahjen e disa tifozëve të Ferizajt të dielën, pas finales së Kupës së Federatës në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Vendimi i komisarit të garave të FVK-së është marrë pas mbledhjes së mbajtur të mërkurën. Por, vetëm të enjten është bërë publik vendimi për suspendimin e gjashtë lojtarëve që dolën në tribuna dhe nisën rrahje me pak tifozë vendës, që ishin në tribunën anësore.
Në komunikatën e Federatës së Volejbollit të Kosovës të publikuar në rrjetet sociale kanë dënuar sërish incidentin, ndërsa kanë njoftuar se gjashtë volejbollistët suspendohen nga të gjitha aktivitetet e organizuara nga FVK, përfshirë ato ndërkombëtare.
“Federata e Volejbollit e Kosovës shpreh shqetësim për incidentin e ndodhur gjatë ndeshjes së Kupës së FVK-së mes ekipeve Peja dhe Ferizaj. FVK ka nisur menjëherë procedurat për trajtimin e kësaj çështjeje dhe po bashkëpunon ngushtë me organet kompetente për një zgjidhje të drejtë dhe transparente”, shkruan në komunikatën e FVK-së.
Vendimin përfundimtar për gjashtë lojtarët e Pejës do ta marrë Komisioni Disiplinor i FVK-së.
“Ky pezullim mbetet në fuqi deri në vendimin e Komisionit Disiplinor. Komisioni Disiplinor pret deponimin e deklaratave nga të gjithë lojtarët e përfshirë, si pjesë e procesit hetimor që do të çojë në nxjerrjen e vendimit përfundimtar. FVK riafirmon përkushtimin e saj për të ruajtur integritetin e sportit dhe dënon ashpër çdo sjellje që cenon vlerat e lojës dhe të komunitetit sportiv. Për çdo zhvillim të mëtejshëm, opinioni publik do të njoftohet në kohën e duhur”, shkruan në komunikatën e FVK-së.
Dy lojtarët e kampiones dhe fitueses së Kupës në volejboll, Pejës - Leutrim Mujaj dhe Arlind Kabashi u ndaluan për 48 orë, si të dyshuar për rrahjen e disa tifozëve të Ferizajt. U liruan të martën në procedurë të rregullt.
Në fakt të përshirë në rrahjen e tifozëve nuk ishin vetëm Mujaj dhe Kabashi. Ndër lojtarët që u përfshinë në rrahje, përkatësisht që dolën në tribunë, ishin edhe kapiteni Agron Nikçi, që është edhe drejtor në Komunën e Pejës, volejbollisti më i mirë shqiptar dhe i Kosovës, Gazmend Husaj, pastaj Dardan Musaj e Kaltrim Berisha. Kishte edhe prej atyre që nuk u vërehej numri shkaku i uniformës, por që shihen duke goditur pak tifozët ferizajas.
Përveç rrahjes me grushte, një lojtar i klubit Peja është parë edhe duke goditur një tifoz me një lloj shkopi.
Ferizaj fitoi 3:2 në sete dhe lojtarët e kësaj skuadre ndalën festën kur po ndodhte incidenti. Por nuk u përfshinë dhe nuk tentuan ta ndalnin incidentin dhe për këtë u kritikuan jo pak.
Ndeshja u transmetua nga federata, por jo edhe nga pamjet e dhunës. Megjithatë incizime të tjera konfirmojnë rrahjen e rëndë.
Incidenti i së dielës vlerësohet prej më të rëndëve në vitet e fundit në volejbollin kosovar.
Në volejboll, ku lojtarët nuk kanë kontakt, rrahjet masive janë shumë, shumë të rralla.