Atletëve të një prej klubeve më të suksesshme në Kosovë, Roganës, do t’u duhet edhe për një kohë ta shfrytëzojnë për stërvitje shtegun e atletikës në terrenin me bari sintetik në Gjilan dhe shtegun e ngushtë, në malet e fshatit Roganë të Kamenicës. Punët për ndërtimin e stadiumit atletik në Kamenicë ende nuk kanë nisur.
MKRS-ja pati njoftuar se do t’i ndajë mbi tre milionë euro për ndërtimin e stadiumit të parë të atletikës në Kosovë.
Për ndërtimin e stadiumit të atletikës në gusht të vitit të kaluar ishte nënshkruar një marrëveshje në mes të ministrit Hajrulla Çeku dhe kryetarit të Kamenicës, Kadri Rahimaj.
“Atletët e talentuar që ka vendi, klubet e Federata e Atletikës shumë shpejt do ta kenë stadiumin e tyre modern, i projektuar sipas standardeve për gara ndërkombëtare”, pati shkruar në njoftimin e MKRS-së.

Nga gushti i vitit të kaluar, është hapur vetëm rruga që dërgon në lokacionin ku është paraparë të ndërtohet stadiumi atletik.
MKRS-ja nuk ka dhënë datë se kur do të nisin dhe përfundojnë punimet, ndërsa në komunë thonë se janë në përfundim të punëve që u takojnë. Në bazë të marrëveshjes, të cilën e posedon KOHA, projekti duhet të zbatohet gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025. Pra projekti në tërësi duhet të mbyllet vitin e ardhshëm.
“Marrëveshja ka vlerën 3.3 milionë. Infrastrukturën përcjellëse e ka obligim komuna dhe jemi në përfundim. Pritet brenda një muaji të përfundojë shtrimi i rrugës me asfalt, pasi nuk ka mbetur edhe shumë punë aty, pasi qasja për të shkuar deri te stadiumi ka qenë i pamundur. Ministria ka shpallur tenderin. Zhvillime ka. Komuna është në përfundim, MKRS-ja po i pret ofertat, ndërsa shpejt do të nisin punimet”, ka thënë kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, të enjten për KOHËN.
“Është projekt kapital dhe specifik. Kërkon makineri specifike dhe po besoj se MKRS-ja do ta përfundojë brenda 2025-s. Ministria e ka dosjen e tenderit dhe e di më saktë”.
Në MKRS thonë se atletë shpejt do të bëhen me shtëpi të tyre.
“Projekti është i përfunduar, ndërsa aktualisht është e hapur procedura e prokurimit për zbatim të projektit, pra për përzgjedhjen e kompanisë që do t’i zhvillojë punimet. Sapo kjo procedurë të përfundojë nisin punimet”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së për KOHËN.
Në fakt, atletët e Kosovës nuk kanë asnjë shteg të atletikës që plotëson kriteret minimale për gara. Shumë atletë kanë telashe me stërvitje në mungesë të infrastrukturës. Shteg të atletikës ka edhe stadiumi i Malishevës që po ashtu shfrytëzohet për stërvitje dhe gara. Edhe stadiumi “Fadil Vokrri” ka shteg të atletikës, por vetëm me raste lëshohet për t’u shfrytëzuar. Në proces të rinovimit është edhe shtegu i atletikës në stadiumin “Adem Jashari”. Stadiumi në Mitrovicë është në tërësi në proces të rinovimit.
“Është stadium i kategorisë së tretë dhe bën të mundur zhvillimin e garave në disiplina të atletikës, përveç olimpiadës ku kërkohen kritere të tjera. Por është i kategorisë së tretë dhe i vetmi në Ballkan”, ka theksuar Rahimaj.
Stadiumi atletik parasheh tetë korsi, mbi 1000 ulëse, sistem të avancuar digjital, për regjistrimin e rezultateve të garuesve, sallë konferencash, zyra e hapësira të tjera pune me standarde bashkëkohore, hapësira të dedikuara për ndihmë mjekësore dhe trajtim fizik, palestër për ushtrime, energji solare dhe eficiente, parking për 100 vetura dhe infrastrukturë përcjellëse moderne.
Për t’u jetësuar ky projekt, Rahimaj ka thënë se kontribut ka dhënë edhe Federata Atletike e Kosovës.
“Ne kemi qenë në kontakt me Federatën dhe e kanë mirëpritur. Kanë kontribuar në hartimin e projektit dhe jam optimist se pa problem mund të organizohen gara rajonale dhe të karakterit ndërkombëtar. Hapësira është e mirë, kushtet janë të përshtatshme dhe do të ndërtohet sipas standardeve që kërkon Federata Ndërkombëtare e Atletikës. Presim pas përfundimit të kemi organizim të garave të karakterit ndërkombëtar në Kosovë”, thotë Rahimaj.
Në Federatën Atletike të Kosovës presin të mbyllen me afat punimet. Sipas tyre, ndërtimi i stadiumi atletik është jetik.
“Ne kemi dhënë kontributin tonë dhe presim që sa më shpejt ta kemi në shfrytëzim, pasi kemi nevojë ne si Federatë dhe atletët tanë të kemi një hapësirë ku mund t’i zhvillojmë aktivitetet tona”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Federatës Atletike të Kosovës, Abdurrahman Shkodra.
Trajneri i klubit Rogana, Zijadin Kryeziu po ashtu thotë se përfundimi sa më shpejt i punimeve, do të zgjidhte telashet.
“Të hënën jemi kthyer nga Tivari, ku kishim një garë testuese. Udhëtimin në Mal të Zi e shfrytëzuam edhe për përgatitje. Qëndruam dhjetë ditë, pasi ofron kushte të mira. Por po ta kishim qendrën tonë, sigurisht që nuk do të shpenzonim për përgatitje. Ne edhe në Gjilan dhe Malishevë kemi telashe me termine. Nuk e kemi gjithnjë në dispozicion. Na ndërrohet shpesh edhe orari. Ne duhet ta shfrytëzojmë edhe për një kohë hapësirën malore për stërvitje dhe hapësirat e tjera që mundësojnë zhvillimin e stërvitjeve”, ka thënë Kryeziu.
Infrastruktura në Kosovë është larg nivelit ndërkombëtar. Shumë sportistë të tjerë, të sporteve të ndryshme, po vazhdojnë të stërviten në hapësira të ngushta e të improvizuara.