Pasi përcaktoi lojtarët e përfaqësueses dhe ndihmësin e selektorit, Federata e Volejbollit e Kosovës të premten ka njoftuar edhe për selektorin e ri të Kosovës.
Përfaqësuesen e volejbollistëve të Kosovës do ta drejtojë sllovaku Martin Nemec. Sipas njoftimit të FVK-së, ardhja e Nemecit është hap i rëndësishëm për forcimin e përfaqësueses dhe rritjen e nivelit të volejbollit në Kosovës.
Nemec ka karrierë të pasur si lojtar e si trajner.
“Jam i nderuar dhe i emocionuar që jam emëruar përzgjedhës i Kombëtares së Kosovës në volejboll. E shoh një potencial të madh në këtë ekip dhe jam i përkushtuar që të punoj fort për të arritur sukseset që meriton ky vend", ka thënë Nemec për sajtin zyrtar të FVK-së.
Nemec është 39-vjeçar, ndërsa për Sllovakinë i ka 150 ndeshje të luajtura. Është edhe instruktor i volejbollit. Si trajner ka drejtuar së fundi Tatranin në Sllovaki. Ishte edhe te skuadra tjera në Sllovaki, ndërsa punoi edhe në Kore të Jugut. Karrierën si trajner e ka nisur në vitin 2018. Si lojtar ka bërë karrierë në Indonezi, Itali, Turqi, Emirate të Bashkuara Arabe, Kore të Jugut, Itali, Rumani, KatarFrancë, Sllovaki. Ka tituj e trofe në disa vende.
Kosova në gusht fillon kualifikimet për Evropian.
“Ky emërim shënon një hap të ri për zhvillimin e sportit të volejbollit në Kosovë dhe Federata shpreson që me përvojën dhe udhëheqjen e Nemecit, Kombëtarja do të arrijë rezultate të shkëlqyera në kompeticionet e ardhshme ndërkombëtare”, shkruan në njoftimin e FVK-së.