Sporte të tjera

Shteti “ngrin” buxhetin e 32 federatave që nuk iu përmbajtën ligjit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Shumica e federatave sportive në Kosovë i kanë mbyllur pa zhurmë dhe kundërshtime Kuvendet e Punës dhe ato Zgjedhore. Por vetëm gjashtë prej 38 federatave sportive të kategorizuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të përfitojnë mjete financiare nga buxheti i shtetit. 

Vetëm Federata e basketbollit, hendbollit, karatesë, notit, pingpongut dhe triatlonit kanë përmbushur obligimin siç e përcaktojnë dispozitat e reja ligjore të Ligjit për sport. 

Pra, federatat që nuk i janë përmbajtur qarkores së MKRS-së të datës 3 shtator të vitit të kaluar, do të duhet të harmonizojnë aktet e tyre normative me Ligjin për sport. Në të kundërtën, do t’u mohohet financimi nga buxheti i shtetit.

“Ju rikujtojmë se pa harmonizimin e akteve tuaja normative me Ligjin për Sport, nuk do të mund të përfitoni mjete financiare nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga procesi i kategorizimit dhe mbështetjes përmes marrëveshjeve të bashkëpunimit sikurse nuk do të mund të lëshohen vërtetime nga Ligji për sponsorizim dhe mbështetje të tjera institucionale. Për këtë arsye, thërrasim që brenda afateve kohore të statuteve të federatave përkatëse të ndërmerrni veprime të nevojshme për harmonizimin e dokumenteve përkatëse dhe të na informoni për përfundimin e këtij procesi. Në të kundërtën, përgjegjësia për pezullimin e sistemit të financimit të sportit/federatës përkatëse, do të jetë në tërësi e juaja përderisa refuzohet potencialisht të zbatohet legjislacioni në fuqi, që sikurse dihet, nuk është çështje zgjidhjeje por detyrimi”, shkruan ndër të tjera në letrën e dërguar të enjten në adresë të federatave sportive të Kosovës, nga MKRS-ja, përkatësisht Komisionit Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive.

Në fakt, federatat, klubet dhe sportistët e Kosovës, të hyrat më të mëdha i kanë nga shteti. 

Mbi 20 milionë janë ndarë për sportin kosovar në vitin 2024, në bazë të marrëveshjeve të realizuara sipas Ligjit për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. 

Në vitin 2024, Federata e Futbollit e Kosovës renditet e para sa i përket shumës së parave të përfituara nga marrëveshjet e sponsorizimit. FFK-ja kishte të hyra prej 1 milion e 120 mijë eurosh. Pos të hyrave nga marrëveshjet e sponsorizimit, FFK-ja ka të hyra milionëshe, kryesisht nga UEFA.

Pason Federata e Basketbollit e Kosovës, e cila ka përfituar dukshëm më shumë se në vitin 2023. Në vitin 2024 përfitoi 834 mijë euro nga marrëveshjet e sponsorizimit. Në vitin 2023 kishte të hyra prej 228 mijë eurosh. 

Federata më e suksesshme në Kosovë, ajo e xhudos, ka përfituar 130 mijë euro.

Ligji i sponsorizimit është vetëm njëra prej mënyrave të financimit në sportin kosovar.

Federatat përfitojnë edhe nga kategorizimi, të cilin e bën Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport. Përmes kategorizimit përcaktohet përkrahja financiare e shtetit për federatat sportive.

Kategorizimi shpesh përdoret edhe për të caktuar rejtingun e federatave sportive.

Federata e Xhudos së Kosovës është e para në listë me plot 112,26 pikë. Në kategorinë A janë edhe volejbolli me 89 pikë dhe hendbolli me 86.8 pikë.

Federata me numrin më të madh të sportistëve, ajo e futbollit, është në kategorinë B. Madje nuk është e para as në B.

E para në kategorinë B është Federata e Basketbollit me 84,3 pikë. Federata e Futbollit është e dyta në kategorinë B me 83,5 pikë, ndërsa Federata e karatesë e treta me 80,5 pikë.

Në kategorinë C janë Federata e Pingpongut me 73 pikë, e Mundjes me 71,39 pikë dhe e Boksit me 66,1 pikë.

Federatat e tjera, duke përfshirë atë të atletikës, janë në kategorinë D.