Një javë pas ndeshjes së tensionuar të futbollit në Bukuresht, do të ketë tjetër përballje Kosovë – Rumani në sport.
Të shtunën prej orës 19:00 në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec takohen kampioni i Kosovës në hendboll, Rahoveci, dhe skuadra e madhe rumune Minau Baia Mare. Është kjo ndeshja e parë e raundit të tretë të Kupës Evropiane për hendbollistë. Kupa Evropiane është niveli i tretë i garave kontinentale.
Minaur Baia Mare llogaritet favorit i madh, bazuar në të kaluarën në gara evropiane dhe cilësinë e ligës e të skuadrës. Por te kampioni i Kosovës premtojnë angazhim maksimal në kërkim të suksesit që do të ishte historik. Ndeshja e kthimit është një javë më pas në Baia Mare të Rumanisë.
Ndeshja nuk do të jetë si të gjitha ndeshjet tjera të kupave evropiane në hendboll. Të premten e kaluar në Bukuresht, ndeshja e futbollit mes Rumanisë dhe Kosovës u ndërpre në minutat shtesë kur rezultati ishte 0:0. Lojtarët e Kosovës braktisën fushën pasi dëgjuan thirrjet “Serbia, Serbia” të tifozëve rumunë. Ndeshja u regjistrua nga UEFA me rezultat 3:0 në të mirë të Rumanisë, ndërsa federata rumune u gjobit me 128 mijë euro. Ka pasur reagime të shumta në Rumani e Kosovë në javën e fundit dhe kjo bën që tjetër përballje në sport mes dy vendeve, ndonëse në tjetër sport dhe në nivel skuadrash, të pritet me interesim të madh.
Nga klubi rumun kanë thënë se presin “reagim armiqësor” të tifozëve në Rahovec.
Drejtori gjeneral i klubit rumun, Liviu Bala, ka treguar se janë kërkuar masa shtesë të sigurisë për ndeshjen në Rahovec.
“Kam rënë në kontakt me EHF-në, me presidentin e federatës. Ua shpjegova situatën që u krijua nga pikëpamja e motivimit në mediat kosovare lidhur me ngjarjet në Bukuresht. Kemi kërkuar masa të veçanta mbrojtëse për këtë ndeshje, që të kemi një plan në rast se ndodh diçka nga tifozët vendas. Kemi ofruar që të dyja ndeshjet të luhen në Baia Mare, por nuk kanë pranuar. Do të jenë 4000 njerëz në sallë, janë të lumtur. Presim reagim armiqësor”, ka thënë Bala për sajtin zyrtar të klubit Minaur Baia Mare. Ky klubi i ka nëntë të huaj cilësor në përbërje. Kishte ndeshje kampionale në mesjavë dhe barazoi Në kampionatin rumun aktualisht është i dyti.
Në Kupën Evropiane ishte në finale vitin e kaluar, ndërsa në vitin 2022 u paraqit në finale.
Ndërkohë Rahoveci vetëm për herë të dytë paraqitet në gara evropiane. Dy vjet më parë u ndal në pengesën e parë. Këtë herë e kaloi Bocholtin belg në raundin e dytë të Kupës Evropiane dhe do të ketë punë dukshëm më të vështirë në rundin e tretë.
Ndaj Bocholtit, palestra në Rahovec ishte e mbushur me shikues. Në klubin, që aktualisht është model i funksionimit, presin përkrahje të madhe nga tribunat edhe në ndeshjen e së shtunës mbrëma. Sa i takon paraqitjes, shumë do të varet nga forma e Egzon Gjukës, reprezentuesit të Kosovës dhe liderit të Rahovecit.
Ai ka treguar se përgatitjet për ndeshjen sfiduese evropiane kanë nisur shumë kohë më parë – që kur u hodh shorti.
“Kemi analizuar lojën e ekipit rumun. Përparësi presim të jetë tifozëria, që ishte fantastike në ndeshjen me belgët. Besoj se njëjtë do të jenë edhe të shtunën mbrëma. Përparësi tjetër mund të jetë loja e shpejtë ekipore të cilën e aplikojmë. Përballë kemi një ekip të njohur evropian, që në vitet e fundit ka arritur rezultate të mira. Ka lojtarë cilësorë nga Rumania dhe vendet e tjera dhe kjo bën që Minaur Baia Mare të jetë favorit ndaj nesh. Por asessi nuk futemi me flamur të bardhë në këto ndeshje. Së pari do të japim çdo gjë nga vetja që të shënojmë fitore në shtëpi dhe më pas të udhëtojmë për në Rumani për ta mbrojtur atë fitore”, ka thënë Gjuka për KOHËN.
Rundi i tretë i Kupës Evropiane deri më tani ishte i pakalueshëm për skuadrat kosovare. Rahoveci është ekipi i fundit kosovar që ka mbetur në garë në kupat evropiane për këtë edicion, duke i përfshirë të gjitha sportet. Nuk kishte fat në short, ndërkohë ngjarjet e fundit bëjnë që ndeshja të jetë sfiduese edhe në aspektin organizativ.
Rahoveci ka njoftuar se do të ketë rregulla më të ashpra të sigurisë. Ka tërhequr vërejtjen se klubi mund të dënohet rëndë nëse ka incidente, duke kërkuar maturi nga tifozët.