Camille Rast ishte më e mirë se skitarja tjetër e Zvicrës, Wendy Holdener. Dhe të dy zviceranet fituan medalje të shtunën në disiplinën e sllallomit në Kampionatin Botëror të skijimit alpin që po mbahet në Saalbach të Austrisë.
Camille Rast e fitoi të artën, ndërsa Holdener të argjendtën.
Ylli amerikan, Mikaela Shiffrin, përfundoi e pesta dhe nuk e fitoi medaljen e 16-të në karrierë në Kampionate Botërore, që do të ishte rekord për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rekordin me 15 medalje të fituara në Kampionate Botërore, Shiffrin e ndan me skitaren gjermane Christl Cranz. Cranz kishte skijuar në vitet e 1930-ta.
Shiffrini ka katër medalje të arta në disiplinën e sllallomit, të gjitha të fituara në gjashtë botërorët e fundit ku ajo mori pjesë prej vitit 2013.
Të shtunën fama ishte për zviceranen Rast.
Lëshimi i parë i saj ishte vendimtar për triumf, ndërsa pas dy lëshimeve kishte kohë prej 1 minutë e 58 sekonda. Holdener kishte kohë prej 1 minutë, 58 sekonda e 46 të qindtat.
“Gjithçka duhet të shkojë mirë për ta fituar titullin e botës dhe sot ndodhi ashtu”, ka thënë Rast për televizionin shtetëror austriak. “Kemi shpirt ekipor të mirë dhe e kemi ndihmuar njëra-tjetrën”.
Ajo mori pjesë në Botërorin e pestë dhe e fitoi medaljen e parë. Ishte e artë në disiplinën e sllallomit në kampionatin botëror për juniorë në vitin 2017.
Holdener e regjistroi kohën më të shpejtë në lëshimin e dytë dhe nga vendi i katërt doli në të dytin për ta fituar medaljen e argjendtë.
Austriakja Katharina Liensberger ishte për 1.32 sekonda më e ngadaltë se kampionia dhe e fitoi medaljen e bronztë. Ajo e fitoi titullin e botës në sllallom në vitin 2021.
Liensberger ishte për vetëm dy të qindtat më e shpejtë se Paula Moltzan, që përfundoi e katërta.
Amerikania Moltzan ishte e bronztë në sllallom të madh të enjten.
Ndërkohë, Shiffrini ishte e treta pas lëshimit të parë.
“Mendoj se kam bërë njërën prej garave më të mira së fundmi”, ka thënë ylli amerikan pas lëshimit të parë.
Shiffrini ka tetë medalje të arta, katër të argjendta dhe tri medalje të bronzta nga 19 gara në Kampionate Botërore.
Shpresa e madhe e Shqipërisë në skitari, Lara Colturi, nuk pati garë të suksesshme. Ajo dështoi në lëshimin e parë, njëjtë si shumë skitare të tjera. Colturi vlerësohet prej skitareve me potencialin më të madh në botë, por nuk e përfundoi me sukses lëshimin e parë.
Në sllallom kanë garuar edhe tri skitaret e Kosovës, Lirika Deva, Kiana Kryeziu dhe Arba Pupovci.
Asnjëra prej tyre nuk e përfundoi me sukses lëshimin e parë.
Dy lëshimet me sukses i kanë përfunduar vetëm 39 skitare. Gjashtë dështuan në lëshimin e dytë e plot 68 në lëshimin e parë.
Kjo ishte gara e fundit për skitare në Kampionatin Botëror në Saalbach të Austrisë.
Botërori përfundon të dielën me garën e sllallomit për skitarë.
Të shtunën u zhvillua gara kualifikuese për skitarë në sllallom. Denni Xhepa i Shqipërisë u rendit i katërti.
Klos Vokshi i Kosovës u rendit i 56-ti me 16.90 sekonda vonesë në krahasim me fituesin e garës kualifikuese. Arbi Pupovci ishte i 73-ti me 40.40 sekonda vonesë në krahasim me fituesin. Të dy lëshimet i përfunduan 77 skitarë.
Drin Kokaj nuk e përfundoi lëshimin e parë. Por pikërisht Kokaj e përfaqëson Kosovën të dielën në garën kryesore, ndonëse të shtunën dështoi në garën kualifikuese. Sipas njoftimit të Federatës së Skijimit të Kosovës, Kokaj garon “për shkak të pikëve më të mira në këtë disiplinë”.
Në fakt secili vend e ka të garantuar pjesëmarrjen në garën kryesore me të paktën një garues. Dhe prej këtij rregulli ka përfituar jo pak Kosova, të paktën sa i takon pjesëmarrjes në gara.