Sporte të tjera

Rahoveci i pari në short për arsye jo të zakontë

Rahoveci hendboll

Në pjesëmarrjen e dytë evropiane, kampioni i Kosovës në hendboll, Rahoveci, ka kaluar kundërshtar në Kupën Evropiane. Rahoveci është një prej 32 ekipeve që do të paraqiten në raundin e tretë të EHF European Cup, që është niveli i tretë i garave kontinentale për klube të hendbollit. Shorti për raundin e tretë tërhiqet të martën prej orës 11:00, ndërsa “vreshtarët” do të jenë të parët që do ta mësojnë kundërshtarin.

Këtë e bëri të ditur Federata Evropiane e Hendbollit të hënën. EHF-ja nuk lejon përballjet Kosovë – Serbi as në nivel klubesh. Dhe për të mos ardhur në situatë që shorti të vërë përballë Rahovecin me Partizanin e Beogradit, është vendosur që Rahoveci të mësojë i pari kundërshtarin. Në vazon tjetër nuk do të përfshihet Partizani. Vetëm pasi të caktohet kundërshtari për Rahovecin, ekipi beogradas do të përfshihet në vazon tjetër, përkatësisht në vazon e parë.

“Secili ekip i vazos së parë do të takohet me ekip të vazos së dytë. Nuk ndalohet përballja e ekipeve nga i njëjti vend. Kufizimi i vetëm është që ekipi i Kosovës, Rahoveci, nuk mund të luajë me ekipin nga Serbia, Partizan AdmiralBet. Kështu, kundërshtari i Rahovecit do të tërhiqet i pari dhe më pas do të vazhdojë procedura e rregullt e  shortit”, ka njoftuar EHF-ja.

Rahoveci është në vazon e dytë në short.

Nënkampioni i edicionit të kaluar, Olympiacosi, është në vazon e parë, njëjtë si ish-kampionia evropiane, Celje e Sllovenisë. Shumica e skuadrave në vazon e parë vlerësohet se i takojnë nivelit serioz evropian. Ka ekipe nga Austria, Bosnjë-Hercegovina, Greqia, Çekia, Islanda, Norvegjia, Rumania, Zvicra, Sllovakia e Turqia. 

Ende asnjë klub kosovar nuk ka kaluar dy kundërshtarë në një edicion të garave evropiane.

Ndeshjet e raundit të tretë të Kupës Evropiane zhvillohen më 23/24 nëntor dhe një javë më pas. Rahoveci në raundin e dytë e eliminoi Bocholtin belg. Ndeshjen në Belgjikë e humbi 32:29, ndërsa të shtunën në Rahovec, në praninë e afro 2000 shikuesve, fitoi me rezultat 35:27.

Besa Famgas nisi garimin në raundin e dytë dhe u ndal nga Lovosice e Çekisë. Në Çeki pësoi 38:28 dhe për këtë arsye nuk i mjaftoi fitorja 35:27 të dielën në Pejë. Kastrioti ishte ndalur në raundin e parë të Kupës Evropiane.