Sporte të tjera

Rahoveci e përfundon edicionin pa humbje të pësuar

Rahoveci hendboll

Ndeshja mes Trepçës e Kastriotit ishte e fundit e stinorit të rregullt në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve. Dy skuadrat u takuan të dielën mbrëma në “Minatori”, ndërsa fitore shënoi skuadra ferizajase me rezultatin 42:27.

Kastrioti e Trepça janë dy skuadrat me historinë më të pasur në hendbollin kosovar. Por është Rahoveci që dominoi këtë edicion, njëjtë si në edicionin e kaluar.

Rahoveci e përfundoi pjesën e rregullt të kampionatit pa humbje të pësuar. I fitoi 27 prej 28 ndeshjeve që i zhvilloi gjithsej. Në një ndeshje u ndal në barazim nga Kastrioti.

Të arriturën e Rahovecit disa herë e kishte përsëritur Besa Famgas, që për kohë të gjatë ka dominuar plotësisht në hendbollin kosovar. Tani po dominon Rahoveci.

Në xhiron e fundit “vreshtarët” fituan 41:29 ndaj Llapit. Shumicën e ndeshjeve në fakt Rahoveci i fitoi me rezultat bindës. Llogaritet favorit i madh për plejof.

Në gjysmëfinale të plejofit, Rahoveci takohet me Prishtinën, që u rendit e katërta me 29 pikë. Në gjysmëfinalen tjetër përballen Kastrioti e Besa Famgasi. Kastrioti u rendit i dyti me 45 pikë, ndërsa Besa e Pejës ishte e treta me 44 pikë.

Vjosa është tërhequr shumë javë më parë nga garat, duke e lënë Superligën me shtatë skuadra. Kjo e goditi jo pak garën në Superligën e Kosovës në hendboll. Trepça në pranverë e kaloi krizën e thellë që e kishte në vjeshtë. Mblodhi 12 pikë, por mbeti e parafundit. Do të luajë në plejaut për mbetje në elitë.

Para se të nisë plejofi, do të zhvillohet turneu final i Kupës. Fundjavën e ardhshme janë ndeshjet gjysmëfinale dhe finalja e Kupës. Në gjysmëfinale Kastrioti takohet me Rahovecin, ndërsa Besa Famgas pritet të ketë punë të lehtë me Vushtrrinë. Turneu i Kupës zhvillohet në Ferizaj.

Të dielën përfundoi gara edhe në Superligën e hendbollisteve. Kampioni në fuqi, Istogu, është i pari me 30 pikë, katër më shumë se Ferizaj. Samadrexha përfundoi e treta në stinorin e rregullt, ndërsa Shqiponja e Gjakovës e katërta.

Në gjysmëfinale të plejofit, Istogu luan me Shqiponjën, ndërsa Ferizaj me Samadrexhën.

Në fillim të kampionatit u tërhoq një skuadër dhe Superliga mbeti me nëntë. Për këtë arsye Prishtina, që mbeti e fundit, luan në plejaut për vend në elitë.