Sporte të tjera

Përkthyesi akuzohet se ia vodhi yllit të bejsbollit 16 milionë dollarë

Shohei Ohtani me Ippei Mizuhara

Foto: Getty Images

Autoritetet në SHBA kanë akuzuar përkthyesin e sensacionit të bejsbollit Shohei Ohtani, se ia ka vjedhur miliona dollarë yllit sportiv, raporton “BBC”. 

Prokurori i rastit ka akuzuar përkthyesin Ippei Mizuhara, se kishte marrë nga llogaritë bankare të Ohtanit miliona dhe kishte vendosur baste. 

“Ohtani konsiderohet viktimë në këtë rast”, ka thënë prokurori Martin Estrada në një konferencë për media në Los Angeles të enjten.

Mizhura 39-vjeçar është shkarkuar muajin e kaluar pasi doli lajmi për vjedhjen e pretenduar. 

Prokurorët thonë se përkthyesi kishte përdorur paratë e Ohtanit për të vendosur baste dhe kishte depozituar fitimet në një llogari që ai e kontrollonte. 

Nga nëntori i vitit 2021 deri në janar të vitit 2024, zyrtarët thonë se ai ka bërë më tepër se 16 milionë dollarë transfere të paautorizuara nga llogaria e Ohtanit. 

“Mizuhara e bëri gjithë këtë për të ushqyer apetitin e tij të pangopshëm për vendosje të basteve ilegale sportive”, ka thënë Estrada. 

Në aktakuzë thuhet se Mizuhara, që punonte edhe de facto si menaxher i Ohtanit, përfitoi nga fakti se ylli sportiv japonez nuk e zotëronte anglishten. 

Thuhet se ai ka telefonuar zyrtarët e bankave dhe në mënyrë “false u prezantua si Ohani për të mashtruar punonjësit që të autorizojnë transferimet nga llogaria e Ohtanit për në llogari të atyre që ndërlidhen me operacione të basteve ilegale”. 

Nga janari deri në mars të vitit 2024, Mizuhara pretendohet se ka blerë 352 mijë dollarë kartela bejsbolli duke i përdorur paratë e marra nga llogaritë e Ohtanit. 

Mizuhara ka refuzuar të komentojë rastin. 

Ohtani javën e kaluar kishte mohuar se ka lejuar përkthyesin të ketë qasje në financat e tij. 

Nuk ka dëshmi se Mizuhara ka vendosur baste në ndeshje bejsbolli. 

Ohtani nënshkroi një kontratë rekorde 10-vjeçare, në vlerë 700 milionë dollarë me LA Dodgers. Kontratën e firmosi këtë stinor.