Volejbollistet dhe volejbollistët e Ferizajt e festuan me shumë pasion triumfin në Kupën e Kosovës.
Dy klubet që mbajnë emrin e qytetit, të hënën mbrëma në Prishtinë fituan trofeun e rëndësishëm.
Për volejbollistet ishte trofeu i parë. Kanë kaluar 11 vjet prej se u formua klubi Ferizaj. Për volejbollistët e Ferizajt ishte trofeu i dytë.
Por si volejbollistet ashtu edhe volejbollistët synojnë ta mbyllin edicionin edhe si kampionë të Kosovës.
“Kemi 11 vjet nga themelimi i klubit. Vitin e kaluar kemi qenë në Superligën B dhe pasi jemi ngritur në Superligën A, pretendimet e klubit dhe lojtaret që kemi në ekip na kanë motivuar për këtë arritje. Pritjet kanë qenë të mëdha dhe ia kemi dalë me sukses. Aspiratat janë për t’u shpallur kampionë të Kosovës. Kupën ‘Gjergj Kastrioti’ ndaj Dritës e kemi humbur, por jemi mobilizuar dhe kemi vazhduar. Jemi motivuar edhe më shumë dhe synimi i radhës është titulli”, ka thënë trajnerja e Ferizajt, Arta Ramadani për KOHËN të martën.
Ajo thotë se rruga për të arritur deri te triumfi në Kupë, ka qenë e gjatë dhe me shumë sakrificë.
“Kemi filluar nga zero dhe për ne si kontribuues të klubit ka qenë ëndërr të arrijmë suksese. Gjatë rrugës kemi hasur në vështirësi në aspektin financiar, por këtë vit falë sponsorëve kemi krijuar një ekip dhe ia kemi dalë ta fitojmë Kupën”, është shprehur Ramadani.
Volejbollistet e Ferizajt në finalen dramatike mposhtën Skenderajn me rezultatin 3:1 në sete. Kontribut të madh në fitoren e Ferizajt dhanë të gjitha volejbollistet. Ajo që u veçua ishte Vesa Shabani. U shpall më e mira e finales.
“Triumfi në Kupë ka qenë shumë i rëndësishëm. Kemi bërë histori për klubin e Ferizajt duke u shpërblyer me Kupën e Kosovës. Ka qenë i pritshëm triumfi, pasi kemi bërë shumë sakrificë për të arritur këtë sukses. Kemi dhënë kontributin tonë të gjithë, lojtaret, trajnerja dhe stafi i saj dhe po ashtu edhe drejtuesit e klubit”, ka thënë Shabani.
Ajo thotë se çmimi individual është motiv për arritje të tjera të mëdha.
“Meritën kryesore për çmimin individual e kanë prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes sime. Kanë qenë gjithmonë përkrahës të mi. Po ashtu falënderoj edhe stafin e trajnerëve që besuan në lojën time dhe më ndihmuan të ngritem sa më lart. Falënderoj edhe Federatën e Volejbollit të Kosovës të drejtuar nga Bahri Gjinovci për vlerësimin. Ky çmim do të jetë motiv edhe më i madh për ndeshjet në vazhdim. Do të angazhohem maksimalisht për të ndihmuar ekipin drejt arritjes së synimeve”, është shprehur Vesa Shabani.
Titullin e kampionit e synojnë edhe volejbollistët e Ferizajt.
Ata në finale të Kupës mposhtën Dritën me rezultatin 3:1 në sete. Për trajnerin Butrint Bytyçi, triumfi në Kupë ishte i pritshëm.
“Jemi përgatitur me kushte të kufizuara në qytet, pasi jemi shumë klube në qytetin e Ferizajt. Por kemi hyrë si fitues, kemi besuar te fitorja, pasi kemi ekip të mirë. Jemi përgatitur me aq mundësi sa kemi pasur. Kemi ekip cilësor, edhe lojtarët e huaj janë mjaft cilësorë. Ekipi ka dhënë maksimumin për të arritur këtë sukses”, ka thënë Bytyçi. “Synimi tjetër është titulli. Unë besoj në cilësinë e lojtarëve dhe organizimin e klubit. Triumfi në Kupë na ka motivuar edhe më shumë për të vazhduar drejt sukseseve të radhës. Pas dy javësh nis plejofi i Superligës për ne. Do të futemi fuqishëm në plejof për të fituar në fund. Kemi lojtarë me përvojë dhe besoj se do të arrijmë të shfrytëzojmë kualitetin tonë. Edhe gjatë kohës së pandemisë kemi fituar titullin, në vitin 2019. Besojmë se mund të përsëritet suksesi. Po punojmë edhe më shumë për ta pasur më të lehtë triumfin në plejof”.

Çmimi “MVP” i finales i takoi Adriatik Berishës.
“Suksesi në Kupë është një arritje që ne e kemi pritur duke u bazuar në përbërjen e fortë të ekipit tonë dhe punën e palodhur të trajnerëve. Klubi ka investuar shumë dhe kjo ka dhënë rezultate të dukshme prandaj kjo kupë është reflektim i angazhimit dhe përkushtimit të të gjithëve. Pavarësisht lojës së mirë të treguar nga kundërshtarët, ky trofe ishte një objektiv që ne e kishim gjatë gjithë sezonit dhe e arritëm”, thotë Berisha.
Ai iniston se arritjet individuale janë në plan të dytë. Thotë se do të mundohet ta ndihmojë ekipin të shpallet edhe kampion.
“Ndihem shumë i nderuar dhe falënderues që më është besuar ky çmim. Ky çmim është rezultat i punës së ekipit dhe mbështetjes së të gjithë shokëve të mi të ekipit dhe unë e ndaj këtë shpërblim me ta. Tani që jemi në vendin e parë edhe në kampionatin e Kosovës, qëllimi jonë është të vazhdojmë me këtë formë në plejof dhe të synojmë titullin kampion”, ka thënë Berisha.
Në futboll, qyteti i Ferizajt ka humbur gjasat të ketë një skuadër kampione apo fituese të Kupës, por në hendboll gara mbetet e hapur. Por Ferizaj tashmë pos si qytet i hendbollit njihet edhe si qytet i volejbollit.