Kur përmenden medaljet, Grevist Bytyqit i shkon në mendje emri i Majlinda Kelmendit. 33-vjeçaren, e cila në Lojërat Olimpike “Rio 2016” i solli Kosovës medaljen e parë olimpike, dhe atë të artë, e quan heroinë të sportit të Kosovës.
“Gjithmonë kam thënë se uroj ta kem edhe unë fatin e saj, ta përfaqësoj Kosovën në ngjarje të mëdha dhe të fitoj edhe unë ndonjë medalje”, thotë paraatleti nga Malisheva.
Paraqitja e Majlindës dhe sportistëve tjerë në Rio, ishte e para për Kosovën pas pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtarë, Lojërat Olimpike.
Për herë të parë, Kosova do të paraqitet në Lojëra Paralimpike në edicionin e sivjetmë, “Parisi 2024”. Grevisti është garuesi i vetëm që do ta përfaqësoj Kosovën në Lojërat Paralimpike, të cilat nisin të mërkurën.
“Shpresojmë ta bëjmë më të mirën e mundshme dhe të kthehemi me ëndrra të realizuara, fillimisht duke u paraqitur e pse jo edhe të futemi në zonë ne medaljeve. Por dihet që atletika është sport i vështirë sa i përket arritjes në zonën e medaljeve. është edhe pak ngarkesë për sportistin, pasi është ngjarja më e madhe për sportistët. Po të kishte përvojë në pjesëmarrje në evropiane dhe botërore dhe pastaj në Lojërat Olimpike do ta kishte më të lehtë në aspektin psikik”, ka thënë trajneri i Grevistit, Adrian Mazreku.
Organizimi i këtyre lojërave është i jashtëzakonshëm, ndërsa pjesëmarrja e sportistëve me aftësi të kufizuara është masive. Paraqitja e paralimpistëve në Paris përfundon më 8 shtator.
“Kam thënë që pas dy vitesh të më realizohet kjo ëndërr. Kam punuar tetë vjet me profën për të ardhur deri në paraqitjen time në Lojërat Paralimpike 'Parisi 2024'”, ka theksuar Bytyqi.
Bytyqi bashkë me trajnerin e klubit Malisheva, Adrian Mazreku do të udhëtojnë të hënën drejt Parisit.
Grevisti pranon se konkurrenca është e fortë. Por vlerëson se ka përgatitjen e duhur për t’u bërë ballë garuesve të tjerë në garën 1500 metra.
VIDEO:
“Konkurrenca është e fortë. edhe ne po përgatitemi fort dhe shpresoj të dalim sa më mirë”, ka thënë Bytyqi.
Grevisti përgatitjet i ka zhvilluar kryesisht në Malishevë. Zakonisht e ndan stadiumin me lojtarët e Malishevës. Kështu ishte edhe gjatë vizitës së KOHËS. Futbollistët e Malishevës zhvilluan stërvitjen në fushë, ndërsa shtegu me tartan i atletikës ishte i rezervuar për Grevistin.
Grevistin, djaloshin plot vullnet nga Malisheva, e ka sfiduar seriozisht jeta. Në moshë fare të re ai mbeti pa krahun djathtë. Një incident me rrymën elektrike e la pa dorë. Incidenti ndodhi derisa po luante futboll dhe po e merrte topin e lojës.
“Është ndjenjë e madhe ta përfaqësoj Kosovën si atleti i parë. Ta shohin edhe tjerët se nuk bën të dorëzohesh. Ai që dëshiron të arrijë, nuk mund ta ndalë askush”, ka theksuar Bytyqi.
Grevisti ka rezultate që do t’i garantonin vend në finale të vrapimit në 1500 metra në Lojëra Paralimpike, thotë trajneri i tij, Adrian Mazreku.
Lojërat Paralimpike janë ngjarja më e madhe sportive për sportistët me aftësi të kufizuara.
“Duke u bazuar në rezultatet e Lojërave Paralimpike të kaluara dhe botëroreve të kaluara, Grevisti mund të jetë në grup deri në metrat e fundit. Por aty vjen në shprehje pak fati e po ashtu edhe përvoja. Ne jemi përgatitur për një rezultat që Grevistin e nxjerrë si finalist. Zona e medaljeve mbetet për t’u parë. Nuk mund të garantohet në atletikë, sepse është konkurrencë e jashtëzakonshme”, ka thënë Mazreku.

Trajneri i klubit Malisheva, i formuar në vitin 1999, thotë se Grevisti nuk i është ndarë për asnjë moment stërvitjeve. Malishevës iu bashkua tetë vjet më parë.
“Ka tetë vite që punojmë me Grevistin. Por konkretisht në dy vitet e fundit kur është parë që Komiteti Paralimpik i Kosovës është në prag të pranimit, kemi vazhduar me përgatitje më intensive. Atletika është e vështirë, sidomos zona e medaljes, por ne kemi bërë maksimumin në bazë të kushteve që na janë ofruar dhe që i kemi pasur si klub”, është shprehur Mazreku.
Mazreku vlerëson seriozitetin dhe motivin e Grevistit.
“Nëse edhe sportistët e gjitha sporteve tjera do ta kenë motivin e Grevistit, jam i sigurt se do ta kalojnë nivelin e Evropës. Por ky ka motiv të jashtëzakonshëm”, ka theksuar Mazreku.
Grevistit rrallë i largohet buzëqeshja nga fytyra. Vetëm kur vendoset në korsi të shtegut bëhet më serioz.
Trajneri Mazreku uron që Grevistit mos i ndahet buzëqeshja edhe pas paraqitjes së tij në Paris.
“Është i hareshëm gjithmonë edhe në stërvitje edhe në jetën e përgjithshme. E ka gjithkund këtë buzëqeshje dhe shpresoj kjo ta përcjellë edhe gjatë garës dhe të mos ketë stres, sepse kjo do ta ndihmojë shumë atë në aspektin psikik”, ka thënë Mazreku.
Grevisti shpreson që flamurin e Kosovës, të cilin e pranoi ditë më parë nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ta ngre sa më lart në Lojërat Paralimpike “Parisi 2024”, ashtu siç bëri Majlinda Kelmendi tetë vjet më parë në Rio.