Sporte të tjera

Nuk u dërgua në Botëror, Federata Botërore konfirmon diskriminimin e notares Hana Beiqit

Hana Beiqi

Hana Beiqi

Notarja e re,  Hana Beiqi, është diskriminuar nga institucioni që do të duhej ta përkrahte dhe ta mbronte atë – nga Federata e Notit e Kosovës. Nga kampi i Hanës ka shumë muaj që pretendohet se ajo është diskriminuar nga Federata kosovare e notit. Njëjtë kishte vlerësuar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës. Federata kosovare e notit kishte mohuar akuzat.

Se Hana Beiqi është diskriminuar tani e thonë edhe në Federatën Botërore të Sporteve të Ujit, të njohur si World Aquaqtics (WA).

Në Asamblenë e Punës së Komitetit Olimpik të Kosovës, të mbajtur të mërkurën mbrëma, për herë të parë është publikuar një letër që më 11 mars në KOK e ka dërguar Dale Neuburger, përgjegjës për thesarin në WA. Ai është pjesë e Federatës botërore që nga viti 2000. Prej vitit 2021 e mban pozitën e “thesarmbajtësit”. Po ashtu është delegat teknik për notin në Lojërat Olimpike të Parisit.

Në letër bëhet e qartë që Hana është diskriminuar, përkatësisht i është mohuar e drejta për të konkurruar për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike. Kjo është bërë duke iu mohuar, pa të drejtë, paraqitja në dy botërorët e fundit. Paraqitja në njërin prej dy botërorëve të fundit është kusht që një notar të marrë pjesë me ftesë në Lojërat Olimpike. Hana nuk e ka këtë të drejtë.

“Fatkeqësisht, për Kampionatin Botëror në Fukuoka dhe në Doha, Federata e Notit e Kosovës paraqiti vetëm një sportist dhe një sportiste. Kështu, në vend të konkurrencës së fortë mes sportistëve kosovarë për të marrë ftesë për ‘Parisi 2024’, sportistët e vetëm të pranueshëm janë Mal Gashi dhe Eda Zeqiri”, shkruan në letrën e zyrtarit të World  Aquatics për sekretarin e përgjithshëm të KOK-ut, Besim Aliti.

KOK-u të enjten e ka prezantuar letrën edhe për mediat e interesuara.

Sipas letrës, Eda Zeqiri është përzgjedhur për Botërorin e vitit 2023 në Fukuoka, ndonëse Hana kishte rezultate më të mira. Njëjtë ndodhi edhe këtë vit. Por numri nuk ishte i kufizuar dhe nuk kishte arsye që në Botëror mos të paraqiteshin si Eda Zeqiri ashtu edhe Hana Beiqi. FNK-ja vendosi vetëm për një notar e një notare, duke eliminuar kështu konkurrencën për ta, sa i takon ftesës për Lojërat Olimpike.
World Aquatics ka shprehur brengën që Beiqi nuk ka pasur mundësinë të garojë në asnjërin prej dy botëroreve të fundit. Kështu është pamundësuar gara e dy notareve për vend në Lojërat Olimpike. 

“Përmes një periudhe kualifikimi prej 15 muajsh dhe me më shumë se 320 ngjarje kualifikuese të miratuara, ne inkurajojmë konkurrencë të shëndoshë mes sportistëve për ftesa. Për shkak të paraqitjes së vetëm një sportisteje në Fukuoka dhe në Doha, Eda Zeqiri, mundësitë që sportistet e tjera të garojnë në Paris kanë humbur”, shkruan në letrën nga Dale Neuburger i World Aquatics. 
Në letër nuk shkruan se kjo organizatë do të ndërmarrë ndonjë veprim. Dhe në bazë të situatës aktuale, Hana Beiqi do të mbetet jashtë Olimpiadës së Parisit, ndonëse në bazë të potencialit e meritonte rastin për të garuar për normë. 

KOHA i ka shkruar FNK-së lidhur me situatën e re të krijuar. Më herët FNK-ja ka shkruar se “nuk ekziston asnjë formë e diskriminimit ndaj sportistes në fjalë”.