Astrit Hasani nga Kosova është president i Federatës Evropiane të Peshëngritjes (EWF). Në konkurrencë të drejtpërdrejtë mes dy kandidatëve Hasani mori 24 vota, në krahasim me 19 të cilat i mori italiani Antonio Conflitti nga Moldavia, ka shkruar EWF-ja të shtunën.
“Jam shumë i nderuar me besimin tuaj për të më zgjedhur si president të Federatës Evropiane të Peshëngritjes”, u ka thënë Hasani delegatëve në Kongresin Zgjedhor të EWF-së në Chisinau të Moldavisë, vendit nikoqir të Kampionatit Evropian që nis të dielën.
“Unë do të jem drejtues i një ekipi që do të shfaq transparencë. Evropa do të jetë vërtet e bashkuar dhe ne do të zgjedhim njerëzit më të mirë për Kongresin e ardhshëm të Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes (IWF)”.
Tema e unitetit brenda peshëngritjes evropiane është ngritur shpesh gjatë Kongresit, ku u përfshi edhe presidenti i IWF-së, Mohammed Jalood.
Në një pikë Jalood sugjeroi delegatët se mund t’i shtynin zgjedhjet nëse dëshirojnë, pavarësisht vështirësive praktike dhe kushtetuese. Hasani foli fuqishëm në favor të unitetit dhe liderit global Jalood, por ishte kundër shtyrjes së votimit.
“Sipas nenit 4.2.2 të Statutit së EWF-së, ne duhet t’i mbajmë zgjedhjet sot. Ne nuk duam shtyrjen dhe të kemi sfidë ligjore. Ne nuk duam që t’i shpenzojmë paratë ashtu – përkundrazi duhet që t’i përdorim paratë për më shumë seminare dhe kampe stërvitore evropiane që shkojnë në favor të trajnerëve dhe sportistëve”, ka thënë Hasani para votimit.
“Statuti ynë thotë se gjatë vitit pas Lojërave Olimpike, EWF-ja duhet t’i mbajë zgjedhjet. Dua që të shkojmë sipas Kushtetutës sonë. Ne duhet të jemi të bashkuar. Kushdo që merr shumicën e votave duhet të jetë lider”.
Milan Mihajloviq nga Serbia do të jetë në mandatin e dytë si sekretar i përgjithshëm pasi mori shumicën e votave. Tina Beiter është zgjedhur zëvendëspresidente e parë, duke u bërë femra e parë me këtë rol.
Anëtare e Bordit Ekzekutiv është zgjedhur edhe Iva Alushaj e Shqipërisë.