Qeveria e Afganistanit e drejtuar nga talebanët ka ndaluar Artet Marciale të përziera (MMA), duke thënë se nuk është në pajtueshmëri me ligjet islamike, raporton “BBC”.
Një zyrtar nga autoriteti sportiv i talebanëve, duke folur për transmetuesin “TOLOnews”, ka thënë se MMA është tepër i dhunshëm dhe përbën rrezik për vdekje.
Urdhri u miratua nga policia e moralit e Afganistanit. Urdhri vjen pas një hetimi mbi përputhshmërinë e sportit me ligjin islam, ose Sheriatin.
“Është konstatuar se sporti është problematik sa i përket përputhshmërisë me Sheriatin dhe në shumë aspekte është në kundërshtim me të mësuarit e islamit. Për këtë arsye u mor vendimi”, ka thënë Drejtoria e Përgjithshme e Talebanëve për Edukim Fizik dhe Sport në një deklaratë të lëshuar për agjencinë “AFP”.
MMA është sport i popullarizuar në mesin e të rinjve në Afganistan. Federata e Arteve Marciale të Përziera është themeluar në vitin 2008, ndërsa promocionet AFG dhe TGFC kanë organizuar dhjetëra luftëra në Afganistan.