Sporte të tjera

Metaj, rekordmeni 14-vjeçar në hedhje të gjyles

Driton Metaj

Kur Driton Metaj po bëhej gati për ta bërë hedhjen e gjyles, atletët e tjerë të klubit “Burimi” të Istogut, nuk kishin dilema se ai do ta gjuante larg. Kishin bindjen se gjylja 4-kilogramëshe do t’i afrohej rezultatit të 14-vjeçarit, i cili së fundi e arriti më 21 gusht në mitingun “Bedri Bajrami” në Mitrovicë.

Edhe pse nuk kishte matës të largësisë në fushën e improvizuar 3200 metra katrorë të marrë për shfrytëzim, atletët e klubit dhe trajneri i Metajt, Nexhat Dreshaj, me bindje të plotë thoshin se i afrohet 17-metërshit, rekordit të cilin e mban. Metaj më së largu ka hedhur gjylën 17 metra e 18 centimetra. Dhe për moshën që ka, vlerësohet rezultat goxha premtues. Rekord për moshën e tij.

“U14 kur kam qenë, rezultati ka qenë 16.61, rekord i Kosovës. Në Mal të Zi jam shpallur kampion në tetë shtete. Tash si U16 në gjyle 4 kilogramë, rezultati është 17.18, që është rekord i Kosovës po ashtu”, thotë Metaj të enjten, ditën kur KOHA vizitoi Metajn dhe atletët tjerë të klubit Burimi.

Metaj dhe atletët tjerë të klubit zhvillojnë stërvitje të rregullta në fushën e marrë me qira për pesë vjet në fshatin Temal, dhjetë kilometra larg qytetit të Istogut.

VIDEO:


Metaj është nga fshati Kerrnin e Ulët e Istogut, ndërsa është pjesë e klubit “Burimi” të fshatit Vrellë.

Metaj i cili do t’i mbushë 15 vjeç më 14 shkurt të vitit të ardhshëm, thotë se me  atletikë, saktësisht me hedhje të gjyles ka filluar prej moshës 12-vjeçare.

“E kam nisur me gjyle dhe kjo më ka hyrë në gjak. Më pëlqen shumë dhe ushtroj. Jam i fokusuar këtu më shumë”, ka thënë Metaj.

Talentin e tij e ka vërejtur, trajneri Nexhat Dreshaj, ndërsa ndihmë të madhe vazhdon t’i japë trajneri nga Mitrovica, Mustafë Rrustemi.

Ai thotë se përkrahjen e ka edhe nga familja. Prindërit thotë se ia kanë improvizuar një fushë për stërvitje në oborrin e shtëpisë së tij. “Unë e kam vendin edhe në shtëpi. Ushtroj çdo ditë. Ushtroj edhe në fitnes edhe këtu, në gjyle. Vetëm të dielave e kam pushim”, thotë ai.

Pret mbështetje edhe më të madhe nga shteti për t’i arritur synimet në atë ardhmen. Ai thotë se synimet janë të mëdha.

“Vitin tjetër mendojmë se me gjyle 4 kilogramë të arrijmë rezultatin prej mbi 18, 19 metra. 19 e gjysmë apo 20 metra, do të ishte ëndrra ime”, ka thënë Metaj

Pasi t’i ketë arritur synimet e viteve të ardhshme, Metaj thotë se ka ëndërr medalje në Lojërat Olimpike. Me punë thotë se ëndrrat bëhen realitet.

“Olimpiadën e synojmë, do të thotë është ëndrra ime”, është shprehur ai.

Krahas punës së përditshme, Metaj është nxënës i vitit të parë në Gjurakoc, në drejtimin fizioterapi.

Besim se Metaj mund t’i arrijë synimet ka edhe trajneri i klubit Nexhat Dreshaj. Dreshaj është profesor i gjeografisë, por atletika ka qenë pjesë e pandashme e tij dhe familjes së tij.

Trajneri Dreshaj flet në superlativë për Metajn, 14-vjeçarin i cili garon për gjeneratën U16.

“Dritoni, fillimisht do të thosha se e ka talentin e lindur. Pastaj puna e vazhdueshme e tij dhe dëshira shumë e madhe për shkak se ne synojmë të arrijmë rekorde ose rezultate kulminante ndërkombëtare”, ka thënë Dreshaj.

Puna e Dreshajt me atletët e klubit “Burimi”, i formuar në fund të vitit 2019, ka nisur intensivisht në vitin 2022.

“Menjëherë gjatë atij viti, edhe pse kemi filluar me një distancë jo aq premtuese për shkak se ishte gara e parë vetëm në 8 metra gjatësi. Pastaj me punë intensive, të vazhdueshme, gjithmonë duke i falënderuar edhe trajnerët e Federatës së Atletikës, ose përndryshe konkretisht profesorin Mustafë Rrustemi, i cili jashtëzakonisht na ka ndihmuar në hapat e parë të hedhjes së gjyles. Pastaj kemi vazhduar bashkërisht me punën e Dritonit, i cili nuk është ndalur asnjëherë dhe kemi arritur deri sot ku jemi te mosha U16. Rekord pas rekordi”, thotë Dreshaj.

Dreshaj beson se nxënësi i tij Metaj do të thyej tjera rekorde. Por ai pranon se për të pasur sukses në ngjarje të mëdha, u duhen trajnerë të me përvojë ndërkombëtare.

“Neve në të ardhmen na duhen edhe njerëz që kanë edhe përvoja më të mëdha ndërkombëtare, për shkak se me përvoja të ndryshme ose duke marrë përvoja përmes trajnerëve më të ngritur, me përvojë më të madhe, edhe sukseset janë më të mëdha”, është shprehur ai.

Në klubin “Burimi” ka edhe atletë të disiplinave të tjera në grupmoshat U10, U12, U14, U16, U18 dhe seniorët. Ai pret që klubi “Burimi” të shpallet më i miri i vitit 2024.

“U16 për momentin është grupmosha më e fortë, ose konkurrenca më e mirë në gjithë nivelin e Kosovës. E kemi në kërcim në gjatësi, Ledion Fetahaj është për momentin atleti më i mirë. Pastaj e kemi edhe një rekord tjetër, harrova ta përmend, vitin e kaluar që ka qenë U14 në 200 metra është Driton Goruzhdaj, pra 26.80 sekonda. Gjithashtu kemi edhe në 100 metra që vrapon nën 12 sekonda në grupmoshën U20, është Altin Ukaj dhe kështu me radhë të tjerët”, ka thënë Dreshaj.

Ai thotë se atletët e tij kanë arsyetuar emrin e klubit. Thotë se Burimi është klub i së ardhmes, ku lindin talente. Një të tillë tashmë e ka të dëshmuar. Është Driton Metaj.