Sporte të tjera

Lojtari më i mirë në Kosovë mbetet pa skuadër

Egzon Gjuka

Hendbollisti më i mirë për vitin 2024, Egzon Gjuka, ka mbetur pa skuadër. Ai të mërkurën ka njoftuar se është larguar nga skuadra e Rahovecit. Lajmin e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në facebook.

“Dua t’u njoftoj se nuk jam më pjesë e klubit Rahoveci. Për ata që më njohin dhe e dinë çfarë karakteri dhe shpirti sportiv kam, e kuptojnë se ky vendim nuk ka qenë i lehtë për t’u marrë. Por koha do ta tregojë të vërtetën, herët a vonë. Shokëve të skuadrës ju dëshiroj shumë suksese në vazhdim të garave. Deri në sezonin tjetër, mirupafshim!”, shkruan në postimin e Gjukës.

Hendbollisti Gjuka, e udhëhoqi sezonin e kaluar Rahovecin drejt titullit të kampionit, të parit në histori.

Ka treguar cilësi edhe në skenën evropiane, ndërsa edhe këtë edicion pati paraqitje të mira për Rahovecin, që ka përfunduar stinorin e rregullt në Superligën e Kosovës në hendboll pa humbje të pësuar. Rahoveci starton në plejof nga pozita e parë me 55 pikë

Gjuka është një prej lojtarëve më të shquar edhe te Kosova.