Sporte të tjera

Lojtarët dalin në tribunë dhe rrahen me tifozët, arrestohen dy

Rrahja ne ndeshjen KV Ferizaj - KV Peja

Dy lojtarë të klubit të volejbollit Peja kanë përfunduar në mbajtje për 48 orë, pasi dyshohet se kanë sulmuar fizikisht tifozët në tribuna pas ndeshjes finale të Kupës së Federatës në mes të Ferizajt dhe Pejës. 

Ndeshja u zhvillua të dielën në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, ndërsa pas saj ndodhi një incident i rëndë. Lojtarët e Pejës dolën në tribuna dhe nisën rrahje me pak tifozë vendas, që ishin në tribunën anësore. Përveç rrahjes me grushte, një lojtar i klubit Peja është parë edhe duke goditur një tifoz me një lloj shkopi. 

Lojtarët e kampiones dhe fitueses në fuqi të Kupës së Kosovës në volejboll, Peja, u ngjitën me vrap në tribunat e palestrës “Bill Clinton” në Ferizaj. Pati konflikt verbal mes tyre e tifozëve fillimisht. 

I pari që u nis drejt tifozëve ishte kapiteni Agron Nikçi, ndërsa pas tij edhe shumica e lojtarëve të klubit pejan. 

KOHA mëson se dy lojtarët e arrestuar për sulmin fizik ndaj shikuesve janë Leutrim Mujaj dhe Arlind Kabashi. Kapiteni Nikçi është drejtor në Komunën e Pejës, saktësisht dejtor për punë komunale dhe shërbime publike.

Policia në Ferizaj ka konfirmuar për KOHËN se si të dyshuar për rrahjen në tribuna janë ndaluar për 48 orë dy lojtarë të Pejës. Por policia nuk ka përmendur emra.

“Dy persona, lojtarë të ekipit të volejbollit Peja, janë ndaluar në mbajtje për 48 orë. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas përfundimit të ndeshjes së volejbollit KV Ferizaj - KV Peja, kur këta të fundit kanë hyrë në pjesën e tribunave të shikuesve të Ferizajt dhe i kanë sulmuar ata fizikisht. Nga Njësia e Hetimeve të Stacionit të Ferizajt janë identifikuar dhe shoqëruar në Stacionin e policisë në Ferizaj dhe me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje dy lojtarët e KV Peja. Njësia e Hetimeve të Stacionit të Ferizajt është duke grumbulluar edhe informacione të tjera, nëse ka të implikuar të tjerë në këtë ngjarje dhe në koordinim me prokurorin do të ndërmerren masat e nevojshme ligjore”, ka njoftuar zëdhënësi i Policisë në Ferizaj, Kanun Veseli.

Ferizaj fitoi 3:2 në sete dhe lojtarët e kësaj skuadre ndalën festën kur po ndodhte incidenti. Ndeshja u transmetua nga federata, por jo edhe pamjet e dhunës. Megjithatë incizime të tjera konfirmojnë rrahjen e rëndë.

Te Peja thonë se janë fyer nga tifozët. Lojtarët e Pejës pas incidentit u kthyen në fushën e lojës, u rreshtuan dhe pranuan medaljet.

“Në fund të ndeshjes lojtarët tanë u ofenduan dhe u gjuajtën me gjësende të forta nga tifozëria vendase. Klubi ynë shpreh indinjatën e thellë ndaj këtyre gjesteve që nuk kanë vend në sport”, ka shkruar klubi pejan në njoftimin pas ndeshjes. 

Reagim tjetër nuk pati nga Peja.

Federata e Volejbollit e Kosovës ka reaguar po ashtu me komunikatë.

“Volejbolli nuk njihet si sport i dhunshëm, por përkundrazi, njihet si një lojë që promovon bashkëpunimin, respektin dhe garën e ndershme. Pikërisht për këtë arsye, ngjarje të tilla, që përfshijnë dhunë ose tensione, janë të papranueshme dhe bien në kundërshtim me rregullat, frymën dhe vlerat që ky sport synon të përcjellë”, shkruan në reagimin e FVK-së.

Federata e volejbollit ka kërkuar nga institucionet e vendit të marrin masa ndaj personave të përfshirë në rrahje. Në fakt për anën sportive masat duhet të vijnë pikërisht nga Federata e jo nga palë të tjera.

“FVK-ja në bashkëpunim me të gjitha institucionet dhe instancat përkatëse do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që të gjithë akterët e përfshirë në ngjarje të tilla të japin llogari për veprimet e tyre. Ky angazhim reflekton përkushtimin e FVK-së për të ruajtur integritetin dhe vlerat e sportit, duke u siguruar që sjelljet e papranueshme të mos tolerohen”, shkruan tutje në reagim.

Skena si ato në Ferizaj shihen rrallë në arenat sportive, sidomos që lojtarët të dalin në tribunë dhe të përleshen me tifozë. 

Volejbolli nuk  vlerësohet sport problematik, pasi lojtarët janë të ndarë në dyja anët e fushës. Ndarja me tifozë është edhe më e theksuar. Por, ajo nuk kreu punë të dielën mbrëma.