Të martën u mor një vendim për dy lojtarët e kampiones dhe fitueses së Kupës në volejboll, Pejës - Leutrim Mujaj dhe Arlind Kabashi. Ata u ndaluan për 48 orë, si të dyshuar për rrahjen e disa tifozëve të Ferizajt të dielën pas finales së Kupës së Federatës në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Të mërkurën pritet një tjetër vendim për dy volejbollistët e klubit pejan dhe jo vetëm ata. Federata e Volejbollit e Kosovës, përkatësisht komisionet e saj, pritet të dalin me vendim për gjithë të përfshirët në rrahjen ndaj tifozëve ferizajas.
Ndeshja me fund turpërues u zhvillua të dielën në palestrën “Bill Clinton”. Pas finales ndodhi një incident i rëndë. Lojtarët e Pejës dolën në tribuna dhe nisën rrahje me pak tifozë vendës, që ishin në tribunën anësore.
“Nesër është afati i fundit i mbledhjes së materialeve. Besoj nesër në mbrëmje do të ketë vendim”, ka thënë për KOHËN një zyrtar i lartë i Federatës së Voljebollit të Kosovës.
KOHA ka marrë informacione shtesë edhe nga Policia në Ferizaj.
Policia ka bërë të ditur dy volejbollistët janë liruar në procedurë të rregullt, por në ditët në vijim pritet të intervistohen edhe lojtarët e zyrtarë të tjerë të klubit pejan.
Në fakt të përshirë në rrahjen e tifozëve nuk ishin vetëm Mujaj dhe Kabashi. Ndër lojtarët që u përfshinë në rrahje, përkatësisht që dolën në tribunë, ishin edhe kapiteni Agron Nikçi, që është edhe drejtor në Komunën e Pejës, volejbollisti më i mirë shqiptar dhe i Kosovës, Gazmend Husaj, pastaj Dardan Musaj e Kaltrim Berisha. Përveç rrahjes me grushte, një lojtar i klubit Peja është parë edhe duke goditur një tifoz me një lloj shkopi.
“Të gjithë lojtarët dhe zyrtarët do të intervistohen”, ka thënë zëdhënësi i Policisë në Ferizaj, Kanun Veseli.
Ferizaj fitoi 3:2 në sete dhe lojtarët e kësaj skuadre ndalën festën kur po ndodhte incidenti. Por nuk u përfshinë dhe nuk tentuan ta ndalin incidentin dhe për këtë u kritikuan jo pak.
Ndeshja u transmetua nga federata, por jo edhe pamjet e dhunës. Megjithatë incizime të tjera konfirmojnë rrahjen e rëndë.
Te Peja thanë se janë fyer nga tifozët ferizajas. Lojtarët e Pejës pas incidentit u kthyen në fushën e lojës, u rreshtuan dhe pranuan medaljet.
Të martën ka reaguar edhe klubi i volejbollit Ferizaj, nikoqir i Kupës së Federatës. Edhe Ferizaj në fakt ka përgjegjësi të mëdha, si organizator i ngjarjes.
“Klubi i Volejbollit Ferizaj shpreh keqardhjen për incidentin pas finales së Kupës së FVK-së më 1 dhjetor, ndaj KV Peja. Ne si klub e dënojmë ashpër çdo formë dhune në volejboll. Shpresojmë që një ngjarje si kjo mos të përsëritet më dhe për akterët e kësaj ngjarjeje të merren masat dhe ndëshkimet e merituara nga institucionet përkatëse. Ne i kërkojmë falje çdo qytetari të Ferizajt që është dëmtuar nga kjo ngjarje, ashtu siç ju vazhdoni e përkrahni klubin edhe nga ne do të keni përkrahjen maksimale”, shkruan në reagimin e KV Ferizajt.
Incidenti i së dielës vlerësohet prej më të rëndëve në vitet e fundit në volejbollin kosovar.
Në volejboll, ku lojtarët nuk kanë kontakt, rrahjet masive janë shumë, shumë të rralla.