Përfaqësuesja U19 e Kosovës në hendboll do të përballet me Hungarinë, Zvicrën dhe Marokun në Kampionatin Botëror.
Shorti i Botërorit të 11-të për të rinj në hendboll është tërhequr të premten mbrëma në Kajro të Egjiptit. Pikërisht në Kajro mbahet Botërori, prej 6 deri më 17 gusht të këtij viti.
Kosova U19 në short ishte e fundit në vazon e fundit. Kosova siguroi biletën e Botërorit përmes triumfit në IHF Trophy. Fillimisht e fitoi fazën evropiane të IHF Trophy e më pas edhe fazën ndërkontinentale. IHF Trophy ka për qëllim zhvillimin e hendbollit, por ofron edhe një biletë për ngjarjen globale.
Përfaqësuesja që kualifikohet përmes IHF Trophy llogaritet me pak gjasa për sukses dhe për këtë arsye është e fundit në vazon e fundit.
Hungaria ishte e treta në vazon e parë. Zvicra ishte e gjashta prej tetë përfaqësueseve në vazon e dytë, njëjtë si Maroku në vazon e tretë. Rrjedhimisht Grupi B, ku është Kosova, nuk është prej më të fortëve.
Në Botërorin e të rinjve do të garojnë 32 ekipe përfaqësuese. Plot 17 prej tyre janë nga Evropa.
Vlerësohet se Kosova ka gjasa ndaj Marokut e ndoshta edhe ndaj Zvicrës për fitore.
Është hera e tretë që ekipet përfaqësuese të Kosovës në hendboll paraqiten në Botëror. Fillimisht u paraqit përfaqësuesja U21 e hendbollistëve në Spanjë e më pas përfaqësuesja U18 e hendbollisteve në Kinë. Edhe dy kualifikimet e para u bënë përmes IHF Trophy.
