Në Beograd tashmë po zhvillohen meçe që i takojnë Kampionatit Evropian të boksit amator. Por ringu në kryeqendrën e Serbisë sërish është i ndaluar për boksierët kosovarë. Njëjtë si në të kaluarën, autoritetet e Serbisë, përkatësisht Federata e Boksit e Serbisë, nuk ka lejuar pjesëmarrjen e boksierëve kosovarë.
Nuk ka ndonjë reagim për këtë diskriminim të radhës nga Unioni Evropian i Boksit apo Federata Ndërkombëtare e Boksit Amator. Nuk ka pasur shumë reagime as nga autoritetet sportive kosovare. Megjithatë veprime janë ndërmarrë. Këtë e ka bërë të ditur të premten Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Si Ministri e Sportit, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës, jemi duke ndjekur të gjitha rrugët ligjore sa i përket kësaj çështjeje. KOK-u ka kontraktuar një kompani ligjore, e cila është duke e ndjekur procesin. Fillimisht Federata e Boksit të Kosovës ka dërguar një letër drejtuar ‘European Boxing Confederation’ përmes së cilës ka kërkuar që t’u mundësohet sportistëve tanë të marrin pjesë me të drejta të plota në këtë kampionat në Serbi. Pastaj Serbia ka kthyer një përgjigje ku ndër të tjera thotë që do të ishte e rrezikshme që sportistët tanë të ndeshen në Serbi, sepse kjo mund të shndërrohet në provokim dhe problem internacional politik”, kanë thënë nga MKRS-ja për KOHËN.
Nga Ministria kanë premtuar se do t’i shkojnë deri në fund çështjes së diskriminimit të sportistëve kosovarë. Në fakt shumica e federatave edhe hezitojnë që të marrin pjesë në ngjarjet që mbahen në territorin e Serbisë. Kështu shmangin komplikimet e shumta që do të paraqiteshin.
Vetëm atletë të Kosovës kanë garuar në Serbi, në një ngjarje ballkanike dhe në një ngjarje më të madhe. Por edhe ata nuk kishin përfaqësim të dinjitetshëm.
“KOK-u ka kontaktuar me zyrën e avokatëve që na përfaqësojnë në raste të tilla ndërkombëtare dhe është dërguar një letër tek ‘European Boxing Confederation’, ku janë cekur të gjitha dispozitat ligjore dhe parimet që shkelen me rastin e diskriminimit që po ju bëhet sportistëve tanë. Tutje ka kërkuar që të anulohet kampionati në Serbi dhe të zhvendoset në Kosovë, duke garantuar që nuk do të diskriminohet asnjë sport i asnjë shteti. Aktualisht po presim përgjigje. Do t’i ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm që ta trajtojmë rastin deri në fund përmes rrugëve ligjore”, shkruan tutje në përgjigjen e MKRS-së.
Federatat Ndërkombëtare dhe ato evropiane sportive vazhdojnë t’i japin Serbisë organizime të ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare, përkundër qëndrimit diskriminues ndaj sportistëve të Kosovës.
Të paktën edhe një ngjarje e rëndësishme evropiane do të mbahet në Serbi në javët e ardhshme.
Në Beograd po boksojnë garuesit e Shqipërisë. Flamuri shqiptar ka valuar në ceremoninë hapëse.