Sporte të tjera

Kosova synon paraqitje të mirë për ndeshjen kthyese

Kosova

Hendbollistet e Kosovës u mposhtën thellë të enjten mbrëma në Karlskrona të Suedisë, në ndeshjen e parë të fazës së dytë kualifikuese për Botërorin e këtij viti.

Kosova humbi me rezultatin 51:16 në ndeshjen që u zhvillua në “Brinova Arena” të mbushur me shikues.

Te Kosova shpresojnë që atmosferë të ngjashme të ketë edhe në duelin kthyes që zhvillohet të dielën nga ora 17:15, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

“Vajzave tona u duhet përkrahja në ndeshjen e kthimit me Suedinë. Të dëshmojmë që jemi krah i lojtareve tona edhe kur sfidohemi nga njëra prej Kombëtareve më cilësore në botë”, ka shkruar Federata e Hendbollit e Kosovës të shtunën.

Suedia ishte gjysmëfinaliste e dy Olimpiadave të fundit. Gjysmëfinaliste ishte edhe në Botërorin e vitit 2023, ndërsa e pesta ishte në Evropianin e vitit të kaluar.

Kosova në fazën e parë kualifikuese fitoi ndaj Belgjikës dhe Bosnjë-Hercegovinës dhe avancoi tutje. Por, nuk pati fat në short pasi u vu ndaj njërës prej përfaqësueseve më cilësore në këtë sport.