Sporte të tjera

Kosova luan me kundërshtaren më të fortë të mundshme në fazën e fundit kualifikuese

Suedia

Suedia ishte e para në vazon e parë në shortin e tërhequr tre muaj më parë. Rrjedhimisht ishte kundërshtarja më e fortë e mundshme për të gjitha përfaqësueset e vazos së dytë. Shorti përcaktoi që Suedia të përballet me Kosovën, të parafundit në vazon e dytë.

Ndeshja e parë mes Suedisë dhe Kosovës është të enjten prej orës 19:00 në Karlskrona. Ndeshja e kthimit është të dielën nga ora 17:15 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Ndeshjet i takojnë fazës së dytë, përkatësisht të fundit, të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të hendbollisteve që mbahet në fund të këtij viti.

Te Kosova kanë shpresuar në kualifikim, por u mungoi fati në short. Përballë Suedisë gjasat thuajse nuk ekzistojnë.

Botërori organizohet në Gjermani dhe Holandë prej 26 nëntorit deri më 14 dhjetor. Këto dy përfaqësuese janë kualifikuar direkt. Direkt është kualifikuar edhe Franca, si kampione në fuqi, e po ashtu Danimarka, Hungaria e Norvegjia. Këto tri përfaqësuese u kualifikuan si gjysmëfinaliste të Euro 2024. Në nivel me Danimarkën, Hungarinë e Norvegjinë është Suedia.

Në dy Olimpiadat e kaluara, Suedia fitoi medalje të bronztë, që është sukses shumë i madh. Në Botërorin e kaluar, të vitit 2023, suedezet arritën deri në gjysmëfinale. Në Evropianin e vitit të kaluar përfunduan në vendin e pestë.

“Suedia është përfaqësuese me histori të pasur dhe performancë të qëndrueshme në arenën ndërkombëtare. Selektori Tomas Axner ka bërë kombinim të lojtareve me përvojë dhe lojtareve të reja. Në mesin e tyre ka lojtare që luajnë në klubet më të mëdha të Evropës. Suedia vazhdon të jetë forcë e rëndësishme në hendbollin ndërkombëtar. Duke marrë parasysh përvojën dhe sukseset e fundit të Suedisë, mundësitë tona janë të kufizuara, edhe pse kemi bërë përparim të dukshëm në vitet e fundit”, ka thënë për KOHËN, selektori i Kosovës, Agron Shabani.

Fazën e parë kualifikuese Kosova e kaloi me sukses të plotë. Në vjeshtë në Belgjikë fitoi ndaj Belgjikës dhe Bosnjë-Hercegovinës, dy përfaqësueseve solide evropiane.

Shabani nuk mund të llogarisë në tri prej lojtareve më të mira. Kapitenia Leonora Demaj është e lënduar, ndërsa motrat Marigona e Arlinda Hajdari nuk janë grumbulluar “për arsye personale”. Është kthyer Mirela Gjikokaj, që po luan për ekipin më të mirë në Norvegji, ndërsa pas shumë vjetësh është kthyer edhe Merlinda Qorraj.

Megjithatë, edhe me përbërjen më të fortë, Kosova do të ishte thuajse pa gjasa ndaj Suedisë.

“Nuk do të jetë lehtë duke ditur se do të kemi ekip të ri, me disa seanca stërvitore së bashku. Shpresoj që vajzat tona të japin maksimumin edhe pse jemi në situatë të re”, ka thënë Shabani.

Te Suedia nuk e vënë në diskutim kualifikimin në Botëror.

“Jemi favoritë të mëdhenj ndaj Kosovës dhe natyrisht që duam të kualifikohemi në Botëror”, ka thënë selektori Tomas Axner.

Pritet që Kosova të enjten të ketë përkrahje nga një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve që jetojnë në Suedi. Por dy ndeshjet me këtë superfuqi të hendbollit do të shërbejnë më shumë për ciklin e ardhshëm kualifikues, atë për Euro 2026.