Ashtu siç pritej, Kosova ka pësuar disfatë nga Suedia në ndeshjen e parë të fazës së dytë, përkatësisht të fundit, të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të hendbollisteve që mbahet në fund të këtij viti. Kosova humbi të enjten ndaj Suedisë me rezultat shumë të thellë 51:16. Ndeshja Suedi – Kosovë u zhvillua në Karlskrona. Krahas forcës që ka në ekip, Suedia të enjten kishte përkrahje të madhe nga tribunat. Thuajse asnjë vend nuk ishte i zbrazët në palestrën ku u zhvillua ndeshja e parë.
Pjesa e parë përfundoi 28:8 në të mirë të suedezeve. Bindëse ishin edhe në pjesën e dytë.
Te Kosova me më së shumti gola ndeshjen e mbylli Merlinda Qorraj me pesë gola nga 11 tentime. Katër gola nga dhjetë tentime i kishte Mirela Gjikokaj. Tri gola i shënoi Mirjeta Bytyçi, kurse Albina Rugova Tahirukaj shënoi dy gola. Nga një gol shënuan Yllka Shatri dhe Fitore Aliu-Berisha.
Te Suedia më të dalluara me nga shtatë gola ishin Clara Lerby dhe Nathalie Hagman.
Kosova në ndeshjen ndaj Suedisë u paraqit me tri mungesa. Për shkak të lëndimit, Kosovës i munguan kapitenia Leonora Demaj dhe motrat Marigona e Arlinda Hajdari.
Ndeshja e kthimit është të dielën nga ora 17:15 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Në fakt, fazën e parë kualifikuese Kosova e kaloi me sukses të plotë. Në vjeshtë në Belgjikë fitoi ndaj Belgjikës dhe Bosnjë-Hercegovinës, dy përfaqësueseve solide evropiane.
“Gjithsesi prej dy ndeshjeve me Suedinë, Kombëtarja jonë do të mësojë shumë. Do të jetë përvojë e vlefshme për kualifikimet e ardhshme”, shkruan Federata e Hendbollit e Kosovës.
Te Kosova kanë shpresuar në kualifikim, por u mungoi fati në short. Suedia ishte kundërshtarja më e fortë e mundshme për të gjitha përfaqësueset e vazos së dytë.
Botërori organizohet në Gjermani dhe Holandë prej 26 nëntorit deri më 14 dhjetor. Këto dy përfaqësuese janë kualifikuar direkt. Direkt është kualifikuar edhe Franca, si kampione në fuqi e po ashtu Danimarka, Hungaria e Norvegjia. Këto tri përfaqësuese u kualifikuan si gjysmëfinaliste të Euro 2024. Në nivel me Danimarkën, Hungarinë e Norvegjinë është Suedia.
Në dy Olimpiadat e kaluara Suedia fitoi medalje të bronztë, që është sukses shumë i madh. Në Botërorin e kaluar të vitit 2023, suedezet arritën deri në gjysmëfinale. Në Evropianin e vitit të kaluar përfunduan në vendin e pestë.