Tenistja amerikane, Madison Keys, më në fund e ka fituar një trofe të turneut Grand Slam.
Keys ka shkëlqyer të shtunën duke e mposhtur fituesen në fuqi të turneut Grand Slam “Australian Open”, Aryna Sabalenkan.
29-vjeçarja e cila luajti vetëm në finalen e dytë të një turneu madhor dhe të parën në shtatë vjet, fitoi ndaj numrit një në renditjen botërore të tenisteve, me rezultatin 2:1 në sete, 6:3, 2:6 dhe 7:5.
Ndërkohë, është bërë tenistja e katërt më e vjetër që fiton një titull Grand Slam në tenis.
Ajo ishte shumë e emocionuar pas triumfit.
Përqafoi burrin e saj dhe më pas edhe trajnerin Bjorn Fratangelo.
“E kam pritur këtë për kaq shumë kohë. Nuk e dija nëse do të isha sërish në një pozitë të tillë”, ka thënë Keys.
Bjellorusja 25-vjeçare, Sabalenka, ishte në kërkim të trofeut të tretë rresht në turneun e parë Grand Slam të sezonit.
Ajo ishte e dëshpëruar pas humbjes, e mbuloi fytyrën me peshqir dhe iu drejtua dhomës së zhveshjes.
Kur u kthye më pas në arenë, pati pritje të ngrohtë e me duartrokitje nga 15 mijë tifozë të pranishëm në “Rod Laver Arena”.