Sporte të tjera

Kastrioti kërkon suksesin ndaj ekipit nga Bosnjë-Hercegovina

KH Kastrioti

Kastrioti i Ferizajt kthehet në gara evropiane në hendboll dhe sërish përballet me ekip nga Bosnjë-Hercegovina. Në edicionin 2022/2023 të Kupës Evropiane, Kastrioti u eliminua në raundin e parë nga Graçanica e Bosnjë-Hercegovinës. Tani përballë do ta ketë skuadrën Sloboda nga Tuzla, njërën prej më të suksesshmeve në Bosnjë-Hercegovinë.

Ndeshjet e Kastriotit me Slobodën i takojnë sërish raundit të parë të Kupës Evropiane, që është niveli i tretë i garave kontinentale për klube të hendbollit.

Ndeshja e parë është të shtunën prej orës 19:00 në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.

Kastrioti u riorganizua edicionin e kaluar dhe u kthye në rrugën e sukseseve. E fitoi Kupën e Kosovës dhe luajti në gjysmëfinale të plejofit. Një javë më parë u paraqit në ndeshjen për Superkupë, ndërsa humbi nga Rahoveci.

Te klubi me nam nga Ferizaj janë të përkushtuar që të japin më të mirën ndaj skuadrës boshnjake.

Kastrioti në gara evropiane paraqitet prej edicionit 2005/06 dhe tashmë e ka përvojën e duhur për këto ndeshje. Por sërish përballë ka skuadër cilësore.

Sloboda vjet arriti deri në një të tetën e finales në Kupën Evropiane. Ka synime të mëdha edhe këtë edicion, ndërsa ferizajasit presin edhe përkrahjen e tifozëve për të arritur rezultat të favorshëm në ndeshjen e parë.

“Është ndjenjë e papërshkrueshme krenarie të dalim në fushën e lojës dhe të përfaqësojmë klubin e qytetin tonë. Por në këto ndeshje evropiane e prezantojmë edhe gjithë shtetin e Kosovës. Për ne është më shumë se vetëm ndeshje sportive, është moment ku të gjithë bashkë, si ekip dhe si qytet, do të luftojmë për një ëndërr të përbashkët. Jemi përgatitur maksimalisht dhe secili lojtar do të japë maksimumin për fitore, por edhe për prezantim të duhur të klubit, qytetit dhe vendit tonë. Mbështetja e tifozëve është forca jonë më e madhe. Me ta përkrah besojmë se çdo sfidë kalohet”, ka thënë kapiteni i Kastriotit, pivoti Rron Ramadani.

Ai u ka bërë thirrje tifozëve që të jenë të pranishëm në palestrën “Bill Clinton”, të shtunën mbrëma.

Kastrioti ka ruajtur strukturën e edicionit të kaluar, ndërsa tani drejtohet nga Verim Zherka. Fondi i lojtarëve ende nuk është sa duhet i pasur, por ferizajasit shikojnë me optimizëm drejt sfidës evropiane.

Ndeshja e kthimit është në Tuzla të Bosnjë-Hercegovinës më 22 shtator.