Sporte të tjera

Kastrioti eliminohet nga Kupa Evropiane

Hendboll Ferizaj

Ndonëse e fitoi ndeshjen e parë dhe ishte në epërsi pas pjesës së parë të ndeshjes së dytë, Kastrioti i Ferizajt është eliminuar nga Kupa Evropiane në hendboll.

Në raundin e parë të garës së tretë kontinentale për nga niveli, skuadrën ferizajase e eliminoi Slloboda e Tuzllës. Ndeshja e kthimit u zhvillua të dielën mbrëma në Tuzëll të Bosnjë-Hercegovinës.

Slloboda fitoi me rezultat 32:28 dhe kështu e eliminoi Kastriotin që ndeshjen e parë në Ferizaj e kishte fituar 30:29.

Slloboda vjet kishte arritur deri në një të tetën e finales dhe llogaritej favorite e madhe ndaj Kastriotit.

Ndeshja megjithatë ishte shumë e fortë dhe thuajse e barabartë. Pas pjesës së parë Kastrioti ishte në epërsi me rezultatin 15:13.

Shkëputja e skuadrës boshnjake nisi pas minutës së 40-të. Kastrioti luftoi deri në fund, por Slloboda mbajti epërsi prej tri e katër gola.

Deniz Terziqi i realizoi nëntë gola për Kastriotin. Shtatë i kishte Lulzim Shabani, ndërsa Rron Ramadani e Beni Sula i shtuan nga katër. Liridon Esati i kishte dhjetë pritje.

Edhe pesë skuadra tjera kosovare të hendbollit do të paraqiten në gara evropiane. Kalimi i secilit kundërshtar evropian do të ishte sukses. Rrallë skuadrat kosovare kalojnë kundërshtarë në garat kontinentale.