Peshëngritja është sport pak i njohur e pak i zhvilluar në Kosovë. Zhvillimi i këtij sporti në vend deri më tani doli të jetë sfidë, ndonëse në Shqipëri peshëngritja është goxha e zhvilluar. Por së shpejti Kosova do të ketë në ekipin e saj të peshëngritjes një kampion olimpik.
Bëhet fjalë për peshëngritësin nga Irani, Kianoush Rostami.
33-vjeçari tashmë është pajisur me pasaportë të Kosovës, ndërsa në gara për Kosovën pritet të paraqitet pas 2 korrikut të këtij viti.
Në Federatën e Peshëngritjes presin shumë nga Rostami.
"Si zyrtar i lartë i Federatës Evropiane të Peshëngritjes dhe trajner i certifikuar për nivelim IWF 2, kam pasur mundësinë që shpesh gjatë trajnimeve ndërkombëtare të shkëmbej përvoja me kampionin olimpik Rostami. Bëhet fjalë për një djalosh me virtyte të larta njerëzore. Në një nga bisedat tona, ai ka folur për padrejtësinë që i është bërë në dy Olimpiadat e fundit nga Federata e Peshëngritjes e Iranit. Me kalimin e kohës gradualisht u pajtuam që ai të pranojë të bëhet sportist i Republikës së Kosovës. Më pas ia kemi bërë kërkesën presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që t'ia jap shtetësinë e Kosovës peshëngritësit Rostami dhe jemi nderuar shumë me përgjigjen pozitive", ka treguar kryetari i Federatës së Peshëngritjes së Kosovës, Astrit Hasani.
Rostami tashmë llogaritet sportist i Kosovës. Ai ka fituar medaljen e artë olimpike në "Rio 2016", kurse ka medalje argjendi nga "Londra 2012". Ka edhe dy tituj të botës, në vitin 2011 e 2014 dhe një medalje të argjendtë botërore në vitin 2015.

Lista e sukseseve të peshëngritësit Rostami është e gjatë.
Është pritur që ai të debutojë te Kosova në dhjetor, në Kampionat Botëror. Federata iraniane kishte premtuar se do të aprovonte lejen për ndryshimin e shtetësisë.
"Megjithatë, në momentin e fundit, nga federata iraniane na tradhtuan, duke përdorur si arsye që Irani nuk e njeh pavarësinë e Kosovës", ka treguar Hasani.
Ai thotë se para se të kalonte afati, Bordi Ekzekutiv i Federatës Botërore të Peshëngritjes ka aprovuar kërkesën e FPK-së që peshëngritësi Kianoush Rostami të ketë të drejtë ta përfaqësojë Kosovën pas 2 korrikut 2025.
"Prej këtij garuesi shumë cilësor presim medalje evropiane, botërore dhe medalje olimpike në Los Angeles 2028", ka theksuar Hasani.
I pyetur se çka po bën federata për zhvillimin e peshëngritjes në Kosovë, Hasani ka treguar që kanë angazhuar trajnerin nga Turqia, Recep Arslan.
"Ai ka prejardhje nga Kosova dhe e kemi angazhuar me qëllim që ta zhvillojë sportin e peshëngritjes në përgjithësi dhe atë të femrave në veçanti, pasi ka arritur shumë suksese me sportistet në Turqi, duke fituar shumë medalje".
Lëvizjet e sportistëve nga një shtet në një shtet tjetër tashmë janë shumë të shpeshta. Disa prej këtyre lëvizjeve dalin të suksesshme e disa jo. Për shembull Shqipëria i fitoi në "Parisi 2024" medaljet e para olimpike. Ato i fituan mundës nga republikat e Rusisë, Çeçenia e Dagestani.
Në Kosovë me shumë bujë ishte prezantuar ardhja e garueses austriake në kërcime me ski, Sophie Sorschag. Edhe ajo ishte kampione botërore në konkurrencë ekipore. Sorschag një vit më parë i zhvilloi disa gara duke përfaqësuar Kosovën. Nuk i kishte rezultatet që në federatën kosovare të skijimit shpresonin se do t'i ketë. Federata kosovare në një mënyrë hoqi dorë prej saj, ndërsa austriakja vlerëson se i është bërë e padrejtë. Ajo ka thënë se ka investuar shumë të madhe parash, duke pritur që ato do t'i rimbursohen nga federata kosovare. Kjo nuk ka ndodhur.
Tani Kosova do të ketë peshëngritës me karrierë të bujshme, ndërsa mbetet të shihet cilat do të jenë rezultatet e tij.
Një pjesë e familjes sportive përkrah angazhimin e sportistëve nga vendet tjera, e një pjesë i kundërshton këto lëvizje. Por edhe kur fitohen medalje ato nuk kanë peshën e medaljeve që i fitojnë sportistët e vendit. Të paktën te Shqipëria ishte kështu.