Pas përfundimit të ndeshjes Kosova – Holanda, të dielën në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë luajnë edhe hendbollistet e Istogut.
Kampioni i Kosovës nga ora 19:45 do të luajë ndaj skuadrës nga Çekia, Hazena Kynzvart, në ndeshjen e parë të raundit të tretë të Kupës Evropiane.
Ndeshja e kthimit zhvillohet në Cheb të Çekisë më 17 nëntor.
Istogu në raundin e dytë të kësaj gare e eliminoi skuadrën greke, Pylaia Thessaloniki. I fitoi të dyja ndeshjet e zhvilluara në Pejë, pasi palestra në Istog, për shkak të renovimit tash e një kohë të gjatë, ende nuk është e gatshme për lojë.
Istogu në garat evropiane ka debutuar në edicionin 2017-18 dhe rregullisht luan në skenën kontinentale. Në shtatë pjesëmarrje, tri herë ka avancuar tutje.
Në sezonin e kaluar në këtë raund të garës, KHF Istogu ishte eliminuar nga skuadra e madhe sllovake, Michalovce.