Hendboll

Istogu në finale të Kupës së Kosovës

KH Istogu

Hendbollistet e Istogut e kanë siguruar finalen e Kupës së Kosovës që luhet të dielën.

Istogu të shtunën në ndeshjen e parë të turneut në palestrën “Karagaçi” në Pejë e mposhti Vushtrrinë me rezultatin 36:28.

Me 14 gola të shënuar tek Istogu u dallua Ana Carolina Gomes. Arlinda Dinarica kontribuoi me gjashtë gola, kurse Yllka Shatri pati katër gola të shënuar.

Te Vushtrria, shtatë gola i pati Albulena Kelmendi.

Istogu, që ishte favorit para këtij ballafaqimi, që nga fillimi i ndeshjes krijoi epërsi të thellë, që në disa momente shkoi edhe deri në dhjetë gola.

Pjesa e parë u mbyll 21:14 në të mirë të Istogut.

Deri në fund të ballafaqimit e ruajti epërsinë dhe nuk lejoi befasi.

Istogu në radhët e veta ka shumë lojtare të huaja, kurse Vushtrria po paraqitet vetëm me lojtare vendore.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Faruk Shala po synon që edhe në këtë edicion të festojë në Kupën e Kosovës.

Në vitin e kaluar, Istogu i fitoi të tre trofetë.