Të rrallë janë volejbollistët e rritur në Kosovë që janë paraqitur apo paraqiten në nivel serioz ndërkombëtar. Sukseset e atyre që kanë depërtuar në nivele serioze evropiane janë të pakta.
Por kur përmendet Gazmend Husaj, situata ndryshon. Husaj, njëri prej volejbollistëve më të mirë që ka pasur e ka Kosova, nëse jo më i miri, të hënën mbrëma festoi titullin e kampionit me klubin e volejbollit Peja.
“Festuam pak, por festën e madhe e kemi lënë për të mërkurën”, ka thënë Husaj të martën për KOHËN.
“Është ndër sukseset më të veçanta. Në moshën 17 apo 18-vjeçare jam larguar nga Kosova. Kam pasur edhe atëherë tituj. Kam fituar në Maqedoni dhe Shqipëri, por ky vlerësohet ndër më të veçantit pas periudhës 14-vjeçare. Ka qenë dëshira ta jap kontributin tim për volejbollin e Kosovës dhe ta sjell përvojën që kam nga jashtë”.
Husaj u kthye pas plot 14 edicioneve të kaluara jashtë Kosovës.
Titullin e fituar me Pejën të hënën, Husaj e vlerëson prej trofeve më të veçantë.
“Po kthehem pas diku 14 sezoneve të kaluara jashtë Kosovës. Dhe ky titull për mua është shumë i veçantë. Ia bëra vetes obligim që ta fitoj këtë titull, por normalisht duke falënderuar gjithë lojtarët, stafin e klubit. Kemi një skuadër mjaft kualitative dhe jam i kënaqur me paraqitjen dhe organizimin. Të gjithë se bashku ia dolëm të shpallemi kampion”, është shprehur volejbollisti i suksesshëm.
Pejani 36-vjeçar, ka bërë karrierë Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Zvicër, Bahrein, Katar, Itali, Turqi, Francë, Greqi, Arabi Saudite dhe së fundi në Kuvajt.
Ai vlerëson rritjen që ka bërë volejbolli kosovar. Por thotë se Kosova ende nuk ka kapacitet të prezantohet me ndonjë klub në Ligën e Kampionëve.
“Ekipi i ka fituar të gjitha trofetë në Kosovë, përfshirë edhe ligën ‘Gjergj Kastrioti’. Dhe ka mundësi për t’u paraqitur në të gjitha garat evropiane. Por ende nuk është vendosur. Mendoj se nuk ka arsye për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve, pasi nuk jemi ende gati për t’u paraqitur përballë klubeve më të mira evropiane. Mund të marrim pjesë fillimisht në CEV Cup, pastaj me rënie eventuale vazhdojmë edhe në Challenge League. E shoh si rrugë për t’u ndjekur”, është shprehur shtatlarti.
Husaj vlerëson se niveli i volejbollit në Kosovë është përmirësuar. Por thotë se klubet duhet të fokusohen maksimalisht në punën me gjeneratat e reja.
“Ka ndryshime si në aspektin e organizimit e po ashtu edhe nivelin e lojtarëve dhe ekipeve. Kanë qenë 6-7 ekipe që kanë qenë në nivel. Edhe prurjet e reja nga jashtë kanë rritur nivelin. Por besoj se do të rritet edhe më shumë. Duhet të punohet më shumë me gjeneratat e reja. Duhet t’i jepet një hov më të madh shkollës për të pasur lojtarë për të ardhmen. Pra, duhet të punohet më shumë me të rinj, për të pasur një bazë për Pejën, por edhe gjithë Kosovën”, ka theksuar Husaj.
Ai pret që klubet e Kosovës në të ardhmen të kompletohen me lojtarë nga fillimi i edicionit.
Edhe kapiteni i Pejës, Agron Nikçi e vlerëson sukses të madh triumfin në kampionat. Peja në fakt vetëm ka vazhduar dominimin në volejbollin kosovar.
“Është një sukses i madh për klubin tonë, pasi ky ka qenë ndër edicionet më të vështira. Të gjitha klubet kanë pasur ngritje. Mendojmë që tani ekipi ka arritur në një pikë të nivelit ku mund të jetë edhe konkurrent me skuadrat ndërkombëtare. Do të shohim se në cilën garë do të marrim pjesë”, ka thënë Nikçi.
Peja ka fituar shtatë tituj të kampionit, ndërsa katër herë e ka fituar kampionatin rresht.