Volejbollistët e Kosovës kanë debutuar me humbje në kualifikimet për “Euro 2026”, ndërsa të pasuksesshme ishin edhe volejbollistet. Volejbollistët humbën me rezultatin 3:0 në sete të shtunën nga Letonia. Me rezultat të njëjtë u mposhtën edhe volejbollistet. Volejbollistet që në skenën evropiane u kthyen pas pauzës trevjeçare, pësuan disfatë nga Kroacia.
Ndërkohë për volejbollistët ishte hera e parë që paraqiten në garën kualifikuese evropiane.
Letonezët ishin më të mirë se volejbollistët e Kosovës, që në të kaluarën kishin luajtur vetëm një herë në kualifikimet e Botërorit 2018 dhe një herë në “CEV Volleyball European Silver League”. Kishte pësuar nëntë humbje nga po aq ndeshje. Të shtunën, Kosova e udhëhequr nga selektori Martin Nemec, e pësoi disfatën e dhjetë.
Kosovës nuk i ndihmoi as volejbollisti më i mirë shqiptar, Gazmend Husaj, e as Bardhyl Hajdari. Që të dy ishin pjesë të Shqipërisë, pasi Kosova nuk ishte e pranuar në instancat ndërkombëtare. Por, kanë vendosur që kontributin deri në fund të karrierës, ta japin për “Dardanët”.
Setin e parë, Kosova e humbi 25:14, të dytin 25:19 dhe të tretin 25:17.
Pavarësisht disfatës, në Federatën e Volejbollit të Kosovës, ndeshja është vlerësuar pozitive.
“Kjo ishte fitorja e tretë e letonezëve përballë Kosovës, pas dy fitoreve të mëparshme të regjistruara në vitin 2018. Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e saj të radhës më 28 gusht, si mysafire e Sllovakisë. Pavarësisht humbjes, përballë një skuadre shumë më cilësore, paraqitja në secilin prej seteve dha sinjale të mira për Kombëtaren. Pas gjashtë vjetësh mungesë në prezantimet zyrtare në garat ndërkombëtare, kjo përballje tregoi se Kosova po përmirësohet dhe mund të ofrojë më shumë në të ardhmen”, ka shkruar FVK-ja pas ndeshjes.
Në palestrën “Bashkim Selishta-Petriti”, pas volejbollistëve luajtën volejbollistet.

Vetëm dy setet e para ishin pak më të niveluara, pasi u mbyllën 25:16 dhe 25:18 në të mirë të kroateve. Në setin e tretë, Kosova humbi nga Kroacia 25:9.
Ndeshjen e radhës në “Euro 2026”, volejbollistet do ta zhvillojnë në udhëtim, më 29 gusht.