Tenis

Humbje e thellë e Kosovës nga Egjipti, federata shumë e kënaqur

Tenis, Kosova

Tenistet e Kosovës e kanë zhvilluar të martën ndeshjen e dytë në “Billie Jean King Cup”, që është Botëror ekipor në konkurrencë të femrave.

Në Vilnius të Lituanisë, tenistet e Kosovës u përballën me Egjiptin dhe pësuan me rezultat të thellë, 3:0.

Fillimisht luajti Adrijana Lekaj, që pësoi 6:2, 6:2 nga Sandra Samir. 

Lojë më të mirë shfaqi tenistja kryesore e Kosovës, Arlinda Rushiti. Ajo megjithatë humbi 2:0 në sete nga Maiar Abdelaziz. Të dy setet përfunduan 6:4 në të mirë të tenistes nga Egjipti.

Pasi sfida u humb, në çifte Kosovën e përfaqësuan Aja Broqi e Forta Morina. Ato nuk rezistuan fare ndaj tenisteve nga  Egjipti. Pësuan 6:0 e 6:1.

Kosova garon në Grupin II, që është nivel mesatar i ngjarjes globale.

Përkundër humbjes me rezultat maksimal, Federata e Tenisit e Kosovës e ka vlerësuar paraqitjen si të shkëlqyer. 

“Paraqitja në ndeshjet e ditës së sotme ishte e shkëlqyeshme nga vajzat tona. Përgëzojmë tensitet Arlinda Rushiti, Adrijana Lekaj, Aja Broqi e Forta Morina për paraqitjen e tyre kundrejt një ekipi kaq të fortë si Egjipti”, ka shkruar Federata e Tenisit e Kosovës.

Të hënën Kosova fitoi 2:1 ndaj Gjeorgjisë. Në fazën grupore luan edhe me Maltën, të mërkurën.