Sporte të tjera

Hokeisti australian amputoi gishtin për t’u paraqitur në Lojërat Olimpike

Mathew Dawson

Mathew Dawson tashmë ka marrë pjesë dy herë në Lojërat Olimpike. Për pjesëmarrjen e tretë në Olimpiadën “Parisi 2024”, australiani shkoi një hap më tej. Dawson theu gishtin pak para Lojërave Olimpike, gjë që mund ta kishte vënë në dyshim pjesëmarrjen e tij në Olimpiadë.

Megjithatë, 30-vjeçari, i cili me Australinë fitoi medalje të argjendtë në “Tokio 2020”, vendosi ta amputonte një pjesë të gishtit të dorës së djathtë. Në vend se ta fuste në gips gishtin, të cilin e kishte thyer në pjesën ku kishte vendosur unazën, hokeisti australian vendosi ta priste gishtin për t’u siguruar që ai mund të garonte në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” më vonë, këtë muaj.

Australia përballet me kampionët e “Rio 2016”, Argjentinën, në ndeshjen e parë në Paris më 27 korrik.

Ai shpjegon se vendimin për ta amputuar gishtin e ka marrë jo për shkak të Lojërave Olimpike. Ai thotë se vendimi ishte analizuar me kujdes.

“Kam marrë një vendim të përbashkët me kirurgun plastik në atë kohë, jo vetëm për mundësinë për të luajtur në Paris, por edhe për gjithë jetën”, tha Dawson për televizionin australian “7 News”, shkruan të enjten sajti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. “Opsioni më i mirë ishte që unë të hiqja majën e gishtit. Është pak ndryshim për momentin dhe një sfidë emocionuese mendoj”.

Ai zbulon edhe bisedën që pati me gruan e tij.

“Nuk pata shumë kohë për të marrë vendimin. E kisha marrë vendimin dhe më pas thirra gruan time dhe ajo më tha të mos merrja vendim të nxituar. Por, unë i kisha të gjitha informacionet që më nevojiteshin për të marrë vendimin, jo për shkak të Parisit, por për jetën time. Shpresoj se nuk do të më marrë shumë kohë për t’u rikthyer në formë”, shtoi ai.

Ai është i lumtur që vetëm një pjesë e gishtit duhej të amputohej.

“Ka shumë çështje të tjera dhe njerëz të tjerë që merren me gjëra të tjera në jetën e tyre që janë më të mëdha se e një gishti, kështu që unë jam shumë me fat që është vetëm një pjesë e gishtit tim”, shpjegoi Dawson, i cili bëri debutimin e tij për Australinë në vitin 2014. Ka luajtur 203 ndeshje.

Trajneri i Australisë, Colin Batch, vlerësoi se vendimi i Dawsonit është tregues për përkushtimin.

“Dawson është kthyer në stërvitje tani. Ai sigurisht e ka vendosur shiritin lart për këdo që do të ketë një gisht të thyer në të ardhmen, por notë të lartë për Matt. Ai ka marrë atë vendim dhe pa dyshim është me të vërtetë i përkushtuar për t’u paraqitur në Paris”, tha Batch.

Kjo nuk është hera e parë që Dawson përballet me një lëndim ekstrem. Ai pothuajse humbi një sy pasi u godit nga një shkop hokej gjashtë vjet më parë.