Të dielën mbrëma hendbollistet istogase e siguruan kualifikimin në raundin e tretë të Kupës Evropiane.
Istogu e mposhti për herë të dytë skuadrën greke Pylaia Thessaloniki. Të dielën në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Istogu fitoi me rezultatin 35:27. Të shtunën në arenën e njëjtë kishte fituar me rezultat 33:25.
Klubet u pajtuan që dy ndeshjet të zhvillohen në Kosovë. Por pasi palestra në Istog vazhdon të mos jetë në dispozicion të sportistëve, Istogu i organizoi të dy ndeshjet në Pejë.
Cilësia ishte në anën e skuadrës istogase, që në gara evropiane paraqitet për herë të tetë. Dhe për herë të katërt ka kaluar kundërshtar në Kupën Evropiane, që është niveli i tretë i garave kontinentale për klube të hendbollit.
Istogu tani shpreson të ketë fat në short dhe ta kalojë për herë të parë edhe kundërshtarin e dytë evropian.
Astou Ndiaye e Lana Paviçeviq shkëlqyen tek Istogu duke i realizuar nga 11 gola. Catarina Sucacuexe e Nihed Limem i shënuan nga katër, ndërsa tri gola i realizoi Arlinda Dinarica.
Ndërkohë Samadrexha e humbi edhe ndeshjen e dytë në Portugali nga skuadra Gaia dhe u eliminua në raundin e dytë të Kupës Evropiane. Samadrexha u pajtua që dy ndeshjet t’i zhvillojë në Portugali. Dhe ashtu si pritej, humbi të dy takimet, 42:31 e 37:30. Më herët në raundin e dytë të Kupës Evropiane ishte ndalur edhe Ferizaj.