Sporte të tjera

Hasani, president i Federatës Evropiane të Peshëngritjes

Astrit Hasani

Astrit Hasani është zgjedhur të premten president i Federatës Evropiane të Peshëngritjes (EWF).

Hasani u zgjodh udhëheqës i kësaj federate në Kongresin Zgjedhor të EWF-së të mbajtur në Chisinau të Moldavisë.

Në konkurrencë për këtë post, Hasani e mposhti presidentin e deritashëm të EWF-së, Antonio Conflittit.

“Arritje historike. Dr. Astrit Hasani zgjidhet President i Federatës Evropiane të Peshëngritjes. Dr. Hasani bëhet Presidenti i parë shqiptar i ndonjë Federate Evropiane”, ka shkruar Komiteti Olimpik i Kosovës të premten në faqen zyrtare.

Është hera e parë që një federatë evropiane do të ketë president shqiptar.

Hasani është edhe kryetar i Federatës së Peshëngritjes së Kosovës, ndërsa ka qenë edhe arkëtar dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Federatës Evropiane të Peshëngritjes prej vitit 2016.

Për shkak të kontributit të dhënë ndër vite në peshëngritjen evropiane, Hasani në vitin e kaluar në Varshavë të Polonisë në Kongresin Evropian, ishte nderuar me çmimin “Ylli i Artë”.

Astrit Hasani është i biri i Besim Hasanit, që për plot 25 vjet ka qenë kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK).

Në kohën e Besim Hasanit si president, KOK-u u pranua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Nën drejtimin e tij, Kosova e fitoi medaljen e parë olimpike.

Majlinda Kelmendi në “Rio 2016” ishte stolisur me medalje të artë.