Formula 1

Goditje e madhe për Red Bullin, i largohet inxhinieri pas 19 vjetëve

Adrian Newey

Red Bulli ka marrë goditje të madhe në tentativën për ta vazhduar dominimin në Formula 1. Adrian Newey do të largohet nga pozita e shefit teknik të Red Bullit në fillim të vitit 2025, pas 19 vjetësh dhe 13 titujsh me ekipin, ka konfirmuar klubi me bazë në Milton Keynes të Anglisë të mërkurën. 

Disenjatori legjendar ka qenë me RedBullin që nga viti 2006 dhe ka ndihmuar skuadrën të fitojë shtatë kampionate pilotësh dhe gjashtë tituj konstruktorësh, duke përfshirë edhe dominimin aktual.

Megjithatë, marrëdhëniet mes inxhinierit dhe drejtorit të ekipit të Red Bullit, Christian Horner, janë zbehur në 12 muajt e fundit. Kjo ka sjellë edhe largimin e 65-vjeçarit.

Newey ishte nën kontratë me Red Bullin deri në fund të sezonit 2025, por ka arritur marrëveshje të largohet më herët.

Newey vlerësohet prej faktorëve kryesorë në suksesin e Red Bullit në Formula 1.

Ka pasur raportime se ai mund të nënshkruajë me Ferrarin sezonin e ardhshëm, aty ku nga sezoni tjetër do të jetë edhe shtatë herë kampioni Lewis Hamilton.